Aktualitet

Zhdukja e Ervis Martinajt/ Rama bën hapa pas: S'ka prova. As drejtori i Policisë s'nxjerr zë, u ikën gazetarëve

Sot, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, nuk iu përgjigje mediave që prisnin një informacion zyrtar nga ai. Rrumbullaku i cilësoi si të pavenda pyetjet e gazetarëve për Martinajn, teksa sapo mbyllur ceremoninë përkujtimore në kuadër të 1-vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, Nënkomisar Saimir Hoxha.

28 Shtator 2022, 18:15 Nga k.m.
Zhdukja e Ervis Martinajt/ Rama bën hapa pas: S'ka prova. As drejtori
Muhamet Rrumbullaku, Ervis Martinaj dhe Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë hapa pas lidhur me çështjen e Ervis Martinajt. Kur pak ditë më parë, paralajmëronte se Policia e Shtetit dinte shumë dhe se shpejt do të dilte me një komunikim zyrtar, sot tha se “blutë” nuk kanë asnjë provë. Në fjalën e tij, para mediave, numri një i qeverisë përsëriti edhe njëherë që në momentin që do të ketë prova, Policia e Shtetit do të flasë, por për sa kohë nuk ka asnjë provë, nuk bën dot asnjë komunikatë në lidhje me këtë ngjarje. 

"Nuk e di se çfarë nënkuptoni ju me të tjera, por në momentin që Policia e Shtetit do të ketë prova do të flasë. përsa kohë nuk ka folur do të thotë që nuk i ka proivat e mjaftueshme,"- tha Rama ndër të tjera. 

Ndërkohë që sot, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, nuk iu përgjigj mediave që prisnin një informacion zyrtar nga ai. Rrumbullaku i cilësoi si të pavenda pyetjet e gazetarëve për Martinajn, teksa sapo mbylli ceremoninë përkujtimore në kuadër të 1-vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, Nënkomisar Saimir Hoxha.

“Në shenjë respekti nuk mund të keni përgjigje,”-tha Rrumbullaku dhe iku. Kur në fakt gazetarët dhe jo vetëm, kanë që nga 9 gushti që presin një version zyrtar për fatin e Martinajt.


Megjithatë ajo që bie në sy është ndryshimi i versionit të parë të Ramës dhe Rrumbullakut. Në një dalje tjetër publike, Rama tha se Policia e Shtetit e ka një përgjigje për fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt dhe se do të përgjigjej para publikut shumë shpejt. Ndërsa sot, del që nuk kanë asnjë provë. Përveç kësaj, s’ka as edhe një datë se kur do të flasë Policisë, duke njoftuar të paktën për hapat e ndërmarra për zbardhjen e çështjes.

Por pse ka kaq rëndësi zbardhja e dosjes Martinaj?

Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama dhe nga opozita. Pretendohet se Martinaj ka pasur “ushtarë” të tij efektivë me funksione shumë të larta në kupolën e Policisë së Shtetit.

Një ndër to ishte dhe Jeton Lami, një efektiv i “Operacionales” që duket se pas orarit zyrtar ishte truproja e tij. Ai e ka shoqëruar deri në momentet e fundit, por nuk ka pranuar që të flasë dhe të deponojnë. Ose të paktën kaq dihet deri më tani, edhe pse gazetarët e kronikës bëjnë me dije se Lami ka folur me ish-kryepolicin Gledis Nano për 2 orë para se të arrestohej zyrtarisht. Megjithatë këto detaje mbeten të pakonfirmuara. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.

muhamet rrumbullaku ervis martinaj edi rama zhduket ervis martinaj

Sondazh

Poll