Aktualitet

'Hyrje-dalje' pa limit për të burgosurit/ Prokuroria nisi hetimet 1 vit më parë për punonjësit e burgjeve në Fier

Hetimi për ta ka nisur 1 vit më parë, por është finalizuar sot, pasi gjyqtari Kastriot Gramshi ka caktuar edhe masat e sigurisë për të gjithë të akuzuarit nga Prokuroria e Tiranës. 

26 Shtator 2022, 19:51 Nga k.m.
'Hyrje-dalje' pa limit për të burgosurit/ Prokuroria nisi
Foto ilustruese

FIER- Punonjësit e burgut të Fierit janë njohur sot me masën "arrest shtëpie" në mungesë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash për të burgosurit. Ata dyshohet se kanë abuzuar me lejet e hyrje-daljeve të të dënuarve, duke marrë ryshfet në favor të dokumentave që lëshonin nga IEVP. Kallëzimi për ta është bërë nga Drejtoria e Burgjeve, para një vitit, më pas hetimet janë ndjekur nga Prokurori i Tiranës Bledar Valikaj, dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka bërë ekzekutimin e masave të sigursisë. Aksioni është finalizuar sot, pasi gjyqtari Kastriot Gramshi ka caktuar edhe masat e sigurisë për të gjithë të akuzuarit nga Prokuroria e Tiranës.  

Bëhet fjalë për: Gerard Nonaj, Ervis Alliaj, Bashkim Meçi, Eris Isufaj, Albi Rezhda, Dorjan Nukaj, Arbëri Gjermeni, Enflor Hoxha, Florida Mata, Fatos Lika, Neritan Mataj, Mato Mataj, Ermal Liçaj, Xheniana Buzi, Denisa Bendaj, Sidorela Vogli, Jonida Qato, Eduart Rrapaj. Nga ana e Prokurorisë nuk ka ende një njoftim zyrtar për të bërë me dije se cilët janë personat që kanë favorizuar punonjësit që janë zbuluar nga Prokuroria si pjesë e skemës së mashtrimit. 

Aksioni vjen fill pas denoncimit të bërë në emisionin investigativ "Stop" brenda burgut të Fierit, ku dëshmia e penalitetit pastrohej pas pagesës së një shumë prej 600 eurosh. Një qytetar ka treguar për emisionin se në vitin 2012 ishte dënuar me 8 vite burgim. Duke përfituar nga amnistia, ai u lirua, e më pas në vitin 2022 ka kërkuar një dëshmi penaliteti, iu 'pastrua' për 600 euro.

Burgu i Fierit është i sigurisë së zakonshme me kapacitet për 600 të burgosur dhe 180 të paraburgosur. Fillimisht aty u dërgua të vuante dënimin edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Emra të tjerë që kanë kaluar apo ende vuajnë dënimin në atë burg janë: Safet Bajri, Albet Zaja, Andon Golemi, Elvis Gurra, Artan Koçeku, etj.

aksioni ne burgun e fierit fier burgu i fierit

Sondazh

Poll