Politike

BE vendos sanksione për të korruptuarit? Për çfarë e kishte fjalën Balla sot në Kuvend (SQARIMI)

Deklarata e Ballës në të vërtetë pason një premtim të dhënë nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen bëri në "State of the Union" më 14 shtator, ku tha se BE do të marrë masa për të korruptuarit.

22 Shtator 2022, 12:01 Nga f.g
BE vendos sanksione për të korruptuarit? Për çfarë e
Taulant Balla dhe Ursula Von Der Leyen

TIRANE- Pasi e paralajmëroi disa ditë më parë, sot në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nxitoi të njoftonte se Bashkimi Evropian kishte vendosur të merrte sanksione ndaj zyrtarëve të korruptuar. Por për çfarë vendimi flet kreu i grupit të PS dhe kujt i referohet?

Deklarata e Ballës në të vërtetë pason një premtim të dhënë nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen bëri në "State of the Union" më 14 shtator, ku tha se BE do të marrë masa për të korruptuarit. Pa njoftuar masat konkrete, shefja e KE-së tha se vitin e ardhshëm, më 2023, Komisioni do të përditësojë legjislacionin për të luftuar korrupsionin ndërsa do ta sanksionojë atë si një shkelje e të drejtave të njeriut dhe një mjet të ri për të mbrojtur vlerat e BE jashtë unionit. 

"Dhe sot do të doja të fokusohesha te korrupsioni, te të gjitha fytyrat e tij. Te fytyra e agjentëve të huaj që përpiqen të ndikojnë në sistemin tonë politik. Te fytyra e kompanive apo fondacioneve të dyshimta që abuzojnë me paranë publike.Nëse duam të jemi të besueshëm kur kërkojmë nga vendet kandidate të forcojnë demokracitë e tyre, ne duhet gjithashtu të çrrënjosim korrupsionin në vend. Kjo është arsyeja pse vitin e ardhshëm Komisioni do të paraqesë masa për të përditësuar kuadrin tonë legjislativ për luftimin e korrupsionit. Ne do të rrisim standardet për vepra të tilla si pasurimi i paligjshëm, trafikimi me ndikim dhe shpërdorimi i pushtetit, përtej shkeljeve klasike si ryshfeti. Dhe ne do të propozojmë gjithashtu përfshirjen e korrupsionit në regjimin tonë të sanksioneve për të drejtat e njeriut, mjetin tonë të ri për të mbrojtur vlerat tona jashtë vendit."-tha Von Der Leyen më 14 shtator. 

Se cili do të jetë filtri dhe kush do të jenë 'viktimat' politike të vendimit kjo mbetet për tu parë në muajtë e ardhshëm, por kursi tashmë është i qartë. Pas SHBA dhe Britanisë së Madhe, edhe Evropa do të mbajë një qendrim zyrtar për liderët e përfshirë në afera korruptive./Dosja.al

taulant balla ursula von der leyen be sanksionon te korruptuarit

Sondazh

Poll