Politike

BE kundër, SHBA ndryshe/ Ambasadorja Yuri Kim: Mbështesim Ballkanin e Hapur

Ambasadorja Yuri Kim theksoi ditën e sotme mbështetjen për Ballkanin e Hapur.

22 Shtator 2022, 10:36 Nga A.B
BE kundër, SHBA ndryshe/ Ambasadorja Yuri Kim: Mbështesim Ballkanin e
Yuri Kim

TIRANË- Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka deklaruar mbështetjen ndaj nismës 'Ballkani i Hapur'. Për gazetarët, pas konferencës për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së, ambasadorja u shpreh se do të mbështesin çdo nismë që kontribuon në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Ne mbështesim të drejtën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të jenë të integruar në Europë dhe të integruar mes vete. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë përpjekjet, përfshirë dhe Ballkanin e Hapur, në mënyrë që të jenë konseguente dhe të kontribuojnë për procesin e integrimit që ndiqet nga BE dhe që janë të hapur për 6 vendet”, deklaroi ambasadorja Kim.

Teksa ambasadorja shpreh mbështetjen e plotë për këtë nismë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi më 24 nëntor 2021, se nëse në “Balkanin e Hapur” (Open Balkan) nuk përfshihen të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë. duke i vendosur kështu kushte, por kurrë nuk ka dalë kundër siç kanë bërë zyrtarë të Bashkimit Europian. 

Presidentja e Komisionit Europian duke iu referuar “Ballkanit të Hapur” ka deklaruar se mirëpret çdo nismë që brenda kuadrit të Procesit të Berlinit, duke vënë theksin se vetëm nisma e iniciuar nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel është 'rruga e duhur' e bashkëpunimit. 

“Unë mendoj që po të shikojmë ecurinë ekonomike si edhe thellimin marrëdhënieve ekonomike, edhe ky treg i përbashkët rajonal, mendoj se procesi i Berlinit është kuadri që po përdoret. Si kuadër që të gjashta vendet e rajonit do të përfitojnë. Çfarë do lloj iniciative që është brenda procesit të Berlinit që është bashkëpunuese mirëpritet prej nesh.'- deklaroi në atë kohë Von Der Leyen.

Ballkani i Hapur, është një nismë që deri më tani ka bashkuar Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me ambicien për t’u shtrirë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Bosnje-Herzegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën. Kjo nismë deri më tani ka finalizuar me nënshkrimin e dy memorandumeve dhe një marrëveshje ndërshtetërore që kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe thjeshtimin e formaliteteve lidhur me importin, eksportin dhe lëvizjen mallrave, bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente të tre vendeve pjesmarrëse.

yuri kim ballkani i hapur open balkan

Sondazh

Poll