Aktualitet

Gjyshja 'kriminele' ndërtoi pa leje, e moshuara: Më morën me forcë në Polici. Fqinja: Kam 2 vjet që duroj

81-vjeçarja e cila jeton vetëm, shprehet se ka frikë të dalë nga banesa se mos e sulmojnë. 

15 Shtator 2022, 11:33 Nga A.B
Gjyshja 'kriminele' ndërtoi pa leje, e moshuara: Më
E moshuara

VLORË- Lefkotheia Karasa është e moshuara 'kriminele' që po hetohet më shumë se ata që ngrejnë kulla në Tiranë dhe jo vetëm. E moshuara, e cila banon në fshatin Nartë të Vlorës pas konfliktit për një ndërtim pa leje të një kuzhine në oborrin e shtëpisë së saj është kallëzuar në Polici nga fqinja e saj. Ditën e djeshme ajo u mor nga Policia për t'iu drejtuar Komisariatit, duke u trajtuar si kriminele vetëm për një shtesë që kishte ndërtuar në oborrin e saj. Për mediat, 81-vjeçarja, e cila jeton vetëm, shprehet se ka frikë të dalë të dalë nga banesa se mos e sulmojnë. 

'“Problemi është se më ra halli në pronën time, në tokën time që ma ka lënë vjehrri. Shtëpinë e kanë ndërtuar djemtë me punën në Greqi. As dy vjet nuk i ka mbushur. Erdhi policia më mori me forcë, ika atje. Nuk mbaj edhe mend e shkreta. Unë jetoj vetëm, kam një vajzë dhe djalë. Kam frikë se vetëm jam. Atje kishim një kasolle dhe duam ta bëjmë të madhe. Kotec për pula a ndonjë tjetër, çfarë të bëjmë duhet ajo...(ndërtesa). Asgjë si kam prishur asaj (komshies) ajo më ka prishur mua gardhin.Nuk flas fare me komshnjtë, më ka bërë të 500-ta mua. Jam e frikësuar, trembem. Më vjen kunata, motra e burrit. Natën mezi më zë gjumi mua. Mbyll derën. Një police që ishte përpara, më tha mua, hajde hajde tani ma tha. Më hipën në furgon, u tremba. Geroni (avokati) i tha pse e more, pse nuk më thatë mua. Unë nuk jam për në burg, unë jam për në varreza,"- u shpreh ajo.

Të moshuarën vetëm një mur e ndan objektin nga shtëpia e fqinjës. Ajo nuk pranoi të identifikohej, por tha se ka kryer denoncim në Polici pasi objekti në ndërtim i ka dëmtuar çatinë.

"Unë nuk e them emrin. E kam denoncuar jemi nëpër gjyqe. Tani më datë 28 kemi seancën e radhës. E kam denoncuar para 2-3 vitesh se muri i asaj më bie te çatia ime. Mbante delet aty, e prishi atë dhe erdhi u ngjit këtu tek unë, që të mos prishë pamjen e shtëpisë. Koteci nuk bëhet kështu, bëhet i vogël. Unë dua që ta heqë ndërtesën nga këtu dhe të pushojë sherri. Se me ka prerë çatinë,"- tregon ajo.

Deri më tani është bërë me dije se Prokuroria ka ngritur akuzën ndërtim pa leje ndaj 81-vjecares dhe aktualisht çështja është në proces gjyqësor në Gjykatën e Vlorës. Referuar kodit penal, "Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet" dënohet me gjobë ose 1 vit burgim. Por për shkak të moshës së saj, mendohet se e moshuara do të kursehet dhe nuk do të vendoset pas hekurave të burgut. 

lefkotheia karasa e moshuara paditet per kotecin

Sondazh

Poll