Sport

Ish-mbrojtësi kuqezi, Mërgim Mavraj, i dyzuar në udhëkryqin e së ardhmes…

Kombëtarja kuqezi është në alarm dëmtimesh, kryesisht në mbrojtje dhe Mavraj pak me humor e pak seriozisht thotë se është gati, kurdo ta thërrasin…

14 Shtator 2022, 21:12 Nga DOSJA

Ish-mbrojtësi kuqezi, Mërgim Mavraj, i dyzuar në udhëkryqin

GJERMANI - Mërgim Mavraj është një prej ikonave të Kombëtares sonë në periudhën më të artë të saj dhe kapiteni i dytë i ekipit, që u kualifikua në Kampionatin Europian të 2016-s. Sot, i tërhequr nga futbolli aktiv, ish-mbrojtësi kuqezi ka filluar të mendojë për të ardhmen e tij në pankinë.

“Në momentin që jam nuk e kam ndarë mendjen. Unë si lojtar kam njohur vetëm topin, kurse tani kemi ato strukturat e ekipit, licensimet, që nuk kuptohen kur je lojtar dhe shumë shpejt e gjykon punën e njerëzve që merren me këtë punë”. 

Aktualisht Mavraj nuk ka ende një kontratë me një klub për sezonin e ri, pasi mbylli atë kontratën e vitit të shkuar me Mynch në ligën regjionale gjermane.

“Nuk ngela pa kontratë se nuk gjeta ekip, por ngela pa kontratë se nuk kisha atë vullnet për një detyrë të caktuar me dhënë gjithçka. Pa e patur këtë pasion unë nuk futem në asnjë detyrë”.

Edhe pse dy vite nga vendimi që ka marrë për t'u tërhequr nga ekipi kombëtar Mavraj e ka një peng.

“Isha mësuar me luajtur me kombëtaren me muzikë shqiptare, me tifozët kuqezi në stadiumin plot dhe se të vjen fundi në këtë mënyrë ka qenë shumë e mërzitshme”.

Ish-mbrojtësi kuqezi, Mërgim Mavraj, i dyzuar në udhëkryqin

Sa i përket situatës aktuale të ekipit tonë kombëtar dhe mungesës së rezultateve ish-kapiteni kuqezi thekson:

“8 vite që skuadra ka filluar të përmirësohet, por normalisht që aty do të ketë ndonjëherë edhe disa tronditje që janë shumë normale, sepse s’mundesh të jesh gjithmonë vetëm në ngritje, nuk ka mundësi... por gjëja kryesore është të futesh në fushë me vetbesim me krenari”.

Në prag të dy ndeshjeve të fundit të Nations League, Kombëtarja kuqezi është në alarm dëmtimesh, kryesisht në mbrojtje dhe Mavraj pak me humor e pak seriozisht thotë se është gati, kurdo ta thërrasin.

“Bëhem unë për të luajtur... nuk është problem”...(qesh..)

Por edhe po nuk luajti më futboll, Mavraj e ka gati planin B, ose më saktë planin boks.

“Edhe boksin, kam 3 vjet që merrem me të... e kam mësuar, por diplomën nuk besoj se e marr në këtë botë... ndoshta në botën tjetër”...(qesh), - shprehet ish-qendërmbrojtësi i kuqezinjve, Mërgim Mavraj në një intervistë të ‘Top Channel’.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll