Politike

Shtesat pa leje/ Rama: 'Konfiskimi' është vetëm fillimi, ligji do ashpërsohet, operacion në të gjithë Shqipërinë

Kreu i qeverisë paralajmëroi që do të merren masa edhe ndaj shefave të komisariateve që kanë toleruar ngritjen e kateve shtesë. 

9 Shtator 2022, 18:50 Nga F.M
Shtesat pa leje/ Rama: 'Konfiskimi' është vetëm
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndërtuesit. Në një takim me banorët në Zall Herr, Rama thotë se operacioni "Kofiskimi" që ka nisur në Tiranë është vetëm fillimi. Ai tha se ligji do 'shtrëngihet' dhe se do ketë kontrolle të vazhdueshme për të parandaluar ndërtimet pa leje. Kreu i qeverisë paralajmëroi që do të merren masa edhe ndaj shefave të komisariateve që kanë toleruar ngritjen e kateve shtesë. 

"Ata shefa komisariatesh, në zonat e të cilëve është më lehtë të kapësh një katunar si puna ime, mua s’më kanë kapur sepse e kam ndërtuar pa leje, por edhe për një avlli që nuk është ngritur për qëllime përfitimi. Ndërsa atje ku ngrihen kullat nuk shohin gjë, sepse ka shumë persona të implikuar dhe me bekimin e shefave të komisariateve është bërë gjithçka. Por, do ta shtrëngojmë akoma më shumë ligjin, do vëmë kontrolle të detyra çdo 45 ditë në mënyrë që katet të mos hidhen dhe pastaj kur shikohet është vonë. Ky do të jetë mësim i mirë për të gjithë ata që do të dalin të implikuar në këtë histori. Por më e rëndësishmja nga të gjitha është që ky është një operacion që do shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Tirana ka problematikën më të vogël, ka zona të tjera që kanë problematikë më të madhe në raport me sipërfaqen që kanë. Kjo që keni parë është vetëm fillimi. Operacioni do shtrihet edhe në bregdet,"- tha Rama ndër të tjera. 

Kryeministri Edi Rama ka nisur operacionin "Konfiskimi". Dy ditë më parë, në prezantimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Rama tha se çdo kat i ngritur pa leje nga milionerët, në Tiranë e jo vetëm, do të shembet apo sekuestrohet. Një tjetër mundësi që i jepet ndërtuesit është dhurimi për publikun ose blerja me çmimin e tregut për çdo metër katror që ka ngritur pa leje. Deri më tani janë zhvilluar dy aksione, sekuestroja e një pallati 9-katësh në Farkë dhe i një tjetri sot, në zonën e Liqenit të Thatë. Ky i fundit është ngritur nga biznesmeni Pëllumb Salillari, një nga emrat më afër qeverisë. 

edi rama konfiskimi i kullave

Sondazh

Poll