Bota

Sulmohet ambasada ruse në Kabul, kamikazi shpërthen portën kryesore, vriten dy punonjës

Policia tha se autori i sulmit u qëllua për vdekje nga rojet e armatosura teksa po i afrohej portës, në një nga goditjet e para të këtij lloji që kur talebanët morën pushtetin vitin e kaluar.

5 Shtator 2022, 17:35 Nga I.A
Sulmohet ambasada ruse në Kabul, kamikazi shpërthen portën
Kabul

KABUL- Dy punonjës të ambasadës ruse në Kabul ishin mes gjashtë personave që humbën jetën kur autori i një sulmi vetëvrasës aktivizoi eksplozivë pranë hyrjes së ambasadës, në një shpërthim që plagosi gjithashtu të paktën 10 vetë, thanë të hënën Ministria e Jashtme ruse dhe zyrtarët afganë. Policia tha se autori i sulmit u qëllua për vdekje nga rojet e armatosura teksa po i afrohej portës, në një nga goditjet e para të këtij lloji që kur talebanët morën pushtetin vitin e kaluar.

Ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë se një militant i panjohur vendosi një mjet shpërthyes pranë hyrjes së seksionit konsullor të ambasadës rreth orës 10:50 të mëngjesit me orën e Kabulit

"Si rezultat i sulmit, dy punonjës të misionit diplomatik u vranë si edhe ka viktima mes qytetarëve afganë," tha ministria.

Katër personat e tjerë të vrarë ishin civilë afganë, tha Khalid Zadran, një zëdhënës i policisë së Kabulit. Rusia është një nga vendet e pakta që e ka mbajtur ambasadën në Kabul pasi talebanët morën kontrollin e vendit më shumë se një vit më parë. Edhe pse Moska nuk e njeh zyrtarisht qeverinë e talebanëve, pala ruse është angazhuar në bisedime me zyrtarët për një marrëveshje për furnizimin me karburant dhe mallra të tjera. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA) e dënoi shpërthimin. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin e së hënës.

Marrë nga VOA

sulm ne kabul

Sondazh

Poll