Politike

VD-Padia për Autoritetin, Meta: I kërkoj SPAK hetim të plotë dhe të pavarur

Meta bëri me dije se i ka dorëzuar tre kërkesa SPAK për të kryer hetim të plotë dhe të pavarur për këtë rast. 

1 Shtator 2022, 14:47 Nga A.B
VD-Padia për Autoritetin, Meta: I kërkoj SPAK hetim të plotë
Ilir Meta

TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat pas padisë penale që depozitoi në SPAK ndaj Autoritetit të Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, ka akuzuar edhe Kuvendin e Shqipërisë si “pjesë e skenarit mafioz politik”. Meta bëri me dije se i ka dorëzuar tre kërkesa SPAK për të kryer hetim të plotë dhe të pavarur për këtë rast. 

DEKLARATA E METËS:

Pjesë e skenarit mafioz politik ishte qartazi dhe Kuvendi i Shqipërisë, kuvend i njohur si falsifikator dhe manipulator, dhe i kallëzuar në SPAK për dokumentat e manipuluara të dërguara në Gjykatën Kushtetuese, dhe falsifikimit të firmës së ish-Kryetarit Gramoz Ruci, në rastin e kërkesës për shkarkim të Presidentit Meta drejtuar Gjykatës Kushtetuese. (Kallëzimi nr. 563, datë 9 Shkurt 2022) Kuvendi, në mënyrë të përsëritur përfshihet në skenaret destabilizuese të urdhëruara nga kryeministri Edi Rama, ku në rastin konkret, ka marrë në shqyrtim raporte të tilla krejtësisht të paligjshme, e për më shumë, i ka komunikuar edhe në media, në shërbim të skenarit mafioz politik.

Më konkretisht, publikimi i shkresës së AIDSSH-së me nr. 1279/1 prot., datë 26.07.2022, është bërë ndërsa ajo përmbante të dhëna të padeklasifikuara, drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në të gjitha mediat dhe gazetat kombëtare shqiptare.

Për më tepër, duhet marrë në konsideratë fakti se dosja është deklasifikuar 3 ditë më pas, në datë 29.07.2022, me Vendimin e AIDSSH-së nr. 324, pra pasi ishin publikuar të dhënat e klasifikuara të dosjes.

Është detyrim ligjor i pashmangshëm që organet e hetimit, të administrojnë:
-Regjistrin e hyrje-daljeve në fondin arkivor të Autoritetit.
-Regjistrin e shfrytëzimit të dokumenteve. Në këtë regjistër të verifikohet se kur janë kërkuar, zhvendosur e shfrytëzuar dosjet për subjektin F.T.
-Procesverbalin/et e mbledhjeve të bordit të AIDSSH për rastin në fjalë që ka të bëjë me vendimin për të informuar Kuvendin si dhe çdo lloj diskutimi apo vendimmarrje që lidhet me subjektin F.T.

– Të administrohet edhe varianti audio i këtyre mbledhjeve.
-Administrimin e tabulateve telefonike dhe çdo komunikim tjetër elektronik të anëtarëve të AIDSSH përpara, gjatë dhe pasi kanë marrë denoncimin “anonim”elektronik.

Ajo çfarë i kam kërkuar organeve të drejtësisë është hetimi i plotë, objektiv, dhe mbi të gjitha i PAVARUR, dhe brenda një afati sa më të shpejtë i të gjitha veprave penale të konsumuara nga anëtarët e AIDSSH-së, që në shpërdorim të pastër të funksionit publik, janë kthyer në vegla të verbra për të stisur dhe ekzekutuar një sulm politik të shëmtuar, me pasoja të rënda për besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Dhe si përfundim, i kam kërkuar drejtësisë:
1) Regjistrimin e Procedimit Penal në ngarkim të të kallëzuarve:
2) Regjistrimin e emrit të të kallëzuarve në regjistrin e njoftimeve të veprave penale;
3) Marrjen e masës së sigurimit, pezullimin e ushtrimit të detyrës për të kallëzuarit.

ilir meta

Sondazh

Poll