Aktualitet

“S'na shpëton, të vëzhgojmë”, si u ndoq rusi pas pjesëmarrjes në demonstrata, misioni që iu dha në Shqipëri

Lala tha se sipas të dhënave të përftuara nga pajisjet e filmimit rezulton që ai ka fotografuar disa nga HEC-et dhe veprat energjetike në vend, në veri të vendit, në Moglicë, por edhe në disa qytete.

24 Gusht 2022, 12:09 Nga F.M
“S'na shpëton, të vëzhgojmë”, si u ndoq
Rusët e ukrainasi në gjyq

TIRANË- 24-vjeçari rus Mikhail Zorin, student i kimisë në Çeki ka marrë pjesë në disa demonstrata në Rusi para se të largohej nga vendi. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” detaje të reja nga dosja hetimore për tre shtetasit agjentë që u kapën pas sulmit dhe tentativës për të hyrë në uzinën e armëve në Gramsh. Lala tha se sipas të dhënave të përftuara nga pajisjet e filmimit rezulton që ai ka fotografuar disa nga HEC-et dhe veprat energjetike në vend, në veri të vendit, në Moglicë, por edhe në disa qytete.

“Pas largimit ai është përndjekur nga shërbimi inteligjent rus dhe i ka deklaruar se nuk ka pse të largohet dhe se e dinin që ndodhej në Çeki dhe se kishin informacion për pjesëmarrjen në demonstrata. ‘Nuk na shpëton dot’, mësohet t’i jenë drejtuar 24-vjeçarit. Ai ka thënë se është kontaktuar nga Shërbimet inteligjente ruse për të bërë një njohje të zonës. Konkretisht ai ka pasur detyrë që të bëjë njohjen, matjen e disa zonave, rikonjicion. Pra, ka pasur detyrë të bëjë matjen dhe fotografimin e asaj që njihet infrastruktura kritike civile në Shqipëri dhe gjendjen aktuale të tyre. Sipas të dhënave të përftuara nga pajisjet e filmimit rezulton që ai ka fotografuar disa nga HEC-et dhe veprat energjetike në vend, në veri të vendit, në Moglicë, por edhe në disa qytete. Gjatë gjithë kohës rezulton që të ketë fjetur në çadrën e tij, në kampingje, ndërkohë ka qëndruar dhe në Tiranë në disa banesa. Ai ka pasur vetëm 1000 dollarë që ka hyrë në Shqipëri. 600 i janë sekuestruar gjatë momentin të ndalimit ndërsa 400 të tjera thotë se i ka shpenzuar gjatë kohës së qëndrimit në vendin tonë. Pjesa tjetër e dëshmisë së Zorin mbahet sekrete,"- raportoi gazetarja Klodiana Lala.

Zorin bashkë me dy të tjerët, 33-vjeçaren Svetlana Timofoeva dhe ukrainasin Fiodor Mihailoviç ka dalë para Gjykatës së Elbasanit ku do të njihet me masën e sigurisë. Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për tre të arrestuarit. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave” dhe rrezikojnë nga 3-10 vite burg.

Ata u shoqëruan nga policia mbrëmjen e 20 gushtit teksa tentuan të hynin në ish-uzinën e armëve në Gramsh. Rusi Zorin u përlesh me ushtarakët që ruanin objektin të cilët nuk e lejuan të hynte uzinë, duke i sulmuar edhe me një spraj neuroparalizues. Në dëshminë e tyre në polici pas arrestimit, ata kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.

Çfarë ndodhi më 20 gusht? 

Incidenti që la të lënduar dy ushtarë shqiptarë ndodhi më 20 gusht. Ishte roja i Uzinës së armëve në Gramsh, ai që ka vënë re i pari lëvizjet e dyshimta rreth objektit. Ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë drenda territorit dhe ka tentuar të bëjë foto. Si përgjegjësi ashtu edhe efektivi që ruan objektin kanë zbatuar rregulloren dhe i kanë bërë thirrje personit që po bëne foto që të ndalonte. Ata i kanë bërë thirrje, por, personi në fjalë është kundërpërgjigjur me spraj neoparalizues. Pavarësisht sulmit, ushtarakët Albi Bici dhe Ardian Xhaka kanë arritur që ta ndalojnë 24-vjeçarin Mikhail Zorin. Ushtarët shqiptarë nuk janë ndalur me kaq. Ata kanë parë mjetin “Chevrolet”, Brenda të cilit ndodhej rusja Svetlana Timofoeva 33 vjeçe dhe ukrainasi me pasaportë ruse Fiodor Mihailoviç, 25 vjec.

mikhail zorin ruset sulmojne uzinen e gramshit

Sondazh

Poll