Sport

Amerika e Jugut kundër FIFA-s për ndryshimin e formatit për Botërorin 2026...

Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut (Conmebol) pohoi të martën dëshirën e saj për të mos e modifikuar formatin e saj të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ndërsa FIFA dëshiron të imponojë një reformë.

24 Gusht 2022, 07:11 Nga DOSJA

Amerika e Jugut kundër FIFA-s për ndryshimin e formatit për

ZVICER - Conmebol dhe FIFA nuk janë afër arritjes së një marrëveshjeje. Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut (Conmebol) nuk dëshiron reformën e propozuar nga organi ndërkombëtar i futbollit në lidhje me sistemin e saj të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Ajo shprehu të martën dëshirën e saj për të ruajtur formatin aktual, me një grup të vetëm prej 10 kombesh, që takohen midis tyre me sistem vajtje-ardhje.

Vendimi u miratua të hënën njëzëri nga këshilli i organit drejtues të futbollit të Amerikës së Jugut, i cili u mblodh në Santiago. Ai do t'i transmetohet FIFA-s, e cila dëshiron të zbatojë një formulë të re në zonën e Amerikës së Jugut. Kjo e fundit po bën fushatë për krijimin e dy grupeve me nga pesë skuadra. Secila prej tyre do të luajë ndeshje me system vajtje-ardhje kundër pesë skuadrave të grupit tjetër. Dy të parët e çdo grupi do të kualifikoheshin direkt në Kupën e Botës. I treti dhe i katërti do të konkurronin për një biletë tjetër direkte; humbësit e kësaj përballjeje do të luanin për një vend në ‘play-off’.

Për Kupën e Botës 2022, që do të organizohet në fund të vitit në Katar, Amerika e Jugut kualifikoi drejtpërdrejt katër të parat nga një grup i vetëm (Brazili, Argjentina, Ekuador dhe Uruguai). E pesta (Peruja) humbi ‘play-off’-in ndërkontinental ndaj Australisë. Për Botërorin 2026, ku numri i skuadrave finaliste nga 32 shkon në 48 ekipe, zona e Conmebolit do të kualifikojë direkt gjashtë kombe, ndërsa i shtati do të luajë në ‘play-off’.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll