Politike

Projektligji i PS për ish-sigurimsat, Berisha: Ata po bëjnë ligjin anti-Meta, bazohet në shpifje

Berisha thekson se PD është e gatshme që ta kthejë ligjin e lustracionit.

19 Gusht 2022, 12:01 Nga A.B
Projektligji i PS për ish-sigurimsat, Berisha: Ata po bëjnë
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur projektligjit të PS për ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit duke thënë se është ligj anti-Meta që bazohet në shpifje. Ndër të tjera thekson se PD është e gatshme që ta kthejë ligjin e lustracionit.

'PD gjatë periudhave të saj në pushtet ka miratuar dy ligje për lustracionin. Në praktikën europiane dhe botërore, ligjet e dekriminalizimit janë tjetër, ligjet e lustracionit janë tjetër. Janë kategori të ndryshme. Me ligjet e lustracionit PD përjashtonte nga funksionet publike agjentët, informatorët e Sigurimit të Shtetit dhe nomeklaturën e lartë komuniste. Ligji është vënë në zbatim në vitin 1996, është kopje e ligjit çeko-sllovak. Ky ligj u amendua nga socialistët në pushtet duke hequr komponentin lustracion. Për këtë arsye, PD në vitin 2008 miratoi në Parlament ligjin e lustracionit. Në 1995 PD miratoi ligjin për dënimin e krimeve të komunizmit. Mbi bazën e këtij ligji u dënuan 73 zyrtarë nga presidenti i Republikës te një komandant poste që zvarriti trupat e të rinjve të pushkatuar në kufi. Ky ligj u quajt kushtues nga Gjykata Kushtetuese dhe është edhe sot në fuqi. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi për ligjin e lustracionit, kjo nuk mund të ketë asnjë hezitim. Atë që bën PS, ai duket se është një ligj po ta quajmë ligji anti-Meta, e cila bazohet në një shpifje të qartë të hedhur poshtë nga vetë autori për të cilin akuzohet zoti Meta. Nëse PS është e gatshme të rikthejë ligjin e lustracionit, autoriteti i hapjes së dosjeve ekziston, nuk ka nevojë të ngrihet. Ne jemi për lustracionin.'-tha Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll