Aktualitet

VIDEO/ I shpëtoi burgut, por jo ‘kundërshtarëve’, momenti kur Shpati Lena kapet me armë tek Uji i Ftohtë

Shpati Lena ishte shpallur në kërkim dhe akuzohej gjithashtu për përkrahjen e autorit të krimit për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj, ngjarje e ndodhur në vitin 2019 në Vlorë.

18 Gusht 2022, 13:03 Nga F.M
VIDEO/ I shpëtoi burgut, por jo ‘kundërshtarëve’,
Momenti i arrestimit të Shpati Lenës, 23 mars 2022

VLORË- Shpati (Geno) Lena, një nga personat që mbetën të vrarë në atentatin e ndodhur këtë paradite në mbikalimin e Panajasë në Vlorë u vu në pranga në mars të këtij viti pasi u kap me armë zjarri. Pamjet e mëposhtme tregojnë momentin kur Lena ndalohet nga forcat ‘Shqiponja’ dhe vihet në pranga në zonën e Ujit të Ftohtë.


Shpati Lena ishte shpallur në kërkim dhe akuzohej gjithashtu për përkrahjen e autorit të krimit për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj, ngjarje e ndodhur në vitin 2019 në Vlorë. Por, pavarësisht akuzave, Lena u la në masën ‘detyrim paraqitjeje’. Në këtë mënyrë ai i ‘shpëtoi’ burgut, por jo kundërshtarëve, të cilët pesë muaj më vonë i organizuan një pritë.

Sot, ai udhëtonte bashkë me Hakim Xhezon, vëllain e Eduart XHezos që është në burg për vrasjen e Beqirajt. Dyshja ndodheshin në një mjet të llojit “Mercedes Benz” në momentin që një tjetër makinë u doli paralel dhe i qëlloi me breshëri plumbash. Të dy ndërruan jetë.

Si nisi sherri dhe ngjarja e rëndë për një kalë në vitin 2019?

Një kalë u prishi qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh në muajin gusht në Vlorë, në vitin 2019, të cilët më pas keqtrajtuan në grup rojen. Gazmend Alushi, i cili paguhej 100 mijë lek të vjetra në muaj nga Ermal allias Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kalit, është dhunuar me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokal.

Pasi është dhunuar, Gazmendi ka shkuar në banesën e tij. Aty, Ermali alias Eduart Xhezo e ka pyetur se kush e ka dhunuar dhe Alushi ka thënë emrin e Beqirajt që njihej dhe si “Arbeni i Çeçesë”. Fill pas kësaj, Ermal Xhezo, ka mobilizuar shokët e tij, Shpati Lena dhe kunatin e tij Ariel Kingji. Të gjithë të  armatosur me automatikë dhe pistoleta kanë shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqirajt, për t'u sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Ermal Xhezos.

Të dyja palët janë përplasur fillimisht fizikisht, por përdorimi i armëve solli vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e djalit të tij e të afërmit të viktimës, Nesim Hodaj. Autor i vrasjes Eduart Xhezo është pas hekurave. Në pranga përfundoi edhe Lena, por muaj më vonë u la në arrest shtëpie. Tashmë, tre vite pas ngjarjes së rëndë, ai ra pre e një atentati teksa udhëtonte nga Vlora drejt Fierit. 

shpati lena arben beqiraj hakim xhezo vrasje e dyfishte ne vlore

Sondazh

Poll