Aktualitet

Kush ishte shënjestra? Sherrniku e Berisha kishin parkuar poshtë një pallati në Kune

Nuk dihet nëse ‘shënjestra’ jetonte në këtë zonë, apo nga aty ka qenë pikënisja e dyshes.

17 Gusht 2022, 14:57 Nga F.M
Kush ishte shënjestra? Sherrniku e Berisha kishin parkuar poshtë
Nikoll Sherrniku

TIRANË- Nikoll Sherrniku, 28 vjeç, një person me precedent penalë dhe Flutura Berisha, 34 vjeçe u vunë sot në pranga pasi ishin nisur për të kryer një vrasje, por shënjestra mbetet mister! Dyshja janë kapur në momentin që kishin parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin, por deri më tani nuk është zbardhur asnjë detaj në lidhje personin që do të sulmohej. Nuk dihet nëse ‘shënjestra’ jetonte në këtë zonë, apo nga aty ka qenë pikënisja e dyshes.

“Shërbimet e Policisë, pasi kanë lokalizuar automjetin tip “Toyota”, të parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin, kanë ndërhyrë për të neutralizuar shtetasit që ndodheshin në automjet, të cilët, sapo kanë parë shërbimet e Policisë duke u afruar, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap. Gjatë tentativës për t’u larguar shtetasja F. B. (drejtuesja e automjetit), ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga shërbimet e Policisë. Në automjet, së bashku me këta shtetas ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç,”- thuhej në njoftimin e policisë.

Në momentin që ka parë policinë e Shtetit, Flutura Berisha ka dalë nga mjeti i blinduar me xhama të zinj, i llojit ‘Toyota’. Ajo ka marrë kallashnikovin dhe çantën ku mbante dy radio-marrëse si ato të Policisë së Shtetit. Berisha ka tentuar që t’i fshehë municionet, por është kapur në kohë nga efektivët. Kallshnikovi e radiot janë gjetur e sekuestruar gjithashtu.

Nikoll Sherrniku, një emër i njohur për Policinë e Shtetit ishte zyrtarisht në masën ‘arrest shtëpie’, sepse u vu në pranga si i i implikuar në vrasjen e efektivit Xhulio Prela, ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit 2020. Por, më vonë u lirua dhe u la në ‘arrest shtëpie’, masë të cilën e theu poër të udhëtuar sot drejt Shëngjinit. Pritet të zbardhen dëshmitë e të arrestuarve mbi qëllimin e rrugëtimit të tyre.

nikoll sherrniku flutura berisha parandalohet atentati ne shengjin

Sondazh

Poll