Aktualitet

“Dita e Ashures”/ Zhvillohet ceremonia e festës së bektashinjve, Baba Mondi: Luftoni veset e këqija

Baba Mondi i është drejtuar pjesëmarrësve në ceremoni me një thirrje, duke kërkuar të gjithë besimtarëve që të bëhen vepra të mira dhe gjithmonë të ndihmohen të tjerët, sidomos në kohërat e vështira që bota jonë po jeton.

9 Gusht 2022, 12:01 Nga k.m.
“Dita e Ashures”/ Zhvillohet ceremonia e festës së
Baba Mondi

TIRANË-Në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve është zhvilluar ceremonia e festës së “Ditës së Ashures”. Kryegjyshi i Bektashinjve, Baba Mondi i është drejtuar pjesëmarrësve në ceremoni me një thirrje, duke kërkuar të gjithë besimtarëve që të bëhen vepra të mira dhe gjithmonë të ndihmohen të tjerët, sidomos në kohërat e vështira që bota jonë po jeton.

“Në këtë mënyrë të jetuarit së bashku në kulturën tonë, me vështirësitë që kjo botë po kalon, luftërat, vrasjet, pandemitë na mësojnë të ndajmë me njëri tjetrin, dashurinë, hidhërimin, pikëllimin dhe barrën e vështirësive që na sjell jeta. Filloni nga ndërgjegjësimi i vetes suaj dhe bëni vetëm të mira. Bëni vetëm të mira dhe Zoti do t’ua shpërblej. Luftoni veset e këqija dhe duajeni jetën. Shpirtrat e bardhë të dëshmorëve të Qerbelasë, na ofrojnë këshillën dhe virtytet e tij për të ecur në rrugën e së vërtetës në çdo koncept të jetës. Zoti na bekoftë të gjithëve, Amin!,”- tha Baba Mondi.

Dita e Ashures përkon me ditën e dhjetë të muajit Muharrem, një ditë ku bëhet ëmbëlsira e ashures, simbol i bereqetit, shpërndarjes, unitetit dhe e cila sipas besimit islam, në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve. Dita e Ashures cilësohet si dita e martirizimit të Imam Husejnit, i cili u rrethua në shkretëtirën e Qerbelasë 1400 vite më parë dhe u vra së bashku me një numër të madh besimtarësh të tjerë për të shpëtuar fjalën e vërtetë të Zotit dhe Islamit.

Fjala “ashura” vjen nga gjuha arabe dhe rrjedh nga rrënja “ashr” që në arabisht do të thotë dhjetë, ndaj “Dita e Ashures” është dita e dhjetë e muajit Muharem dhe tepër e rëndësishme sa i përket historisë së profetëve. Sipas burimeve të hadithit, në këtë ditë ka shpëtuar nga përmbytja anija e Hazreti Nuhut dhe ngjarja kur profeti Musa kalonte nëpër Detin e Kuq dhe shpëtoi popullin e tij nga Faraoni.

baba mondi dita e ashures

Sondazh

Poll