Aktualitet

VD-Bllokimi i mjeteve lundruese pas tragjedisë në Himarë, pronarët priten nga kreu i Policisë Kufitare: Na premtoi se zgjidhet

Ata pretendojnë se po u dëmtohet biznesi, pasi nuk lejohet që të punojnë edhe pse e kanë gati dhe në rregull të gjithë dokumentacionin përkatëse.

9 Gusht 2022, 11:27 Nga k.m.
VD-Bllokimi i mjeteve lundruese pas tragjedisë në Himarë,
Pamje nga protesta

TIRANË- Pronarët e mjeteve të ujit nga e gjithë vija bregdetare në vend janë mbledhur në protestë para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit pas vendimit për bllokimin e mjeteve ujore pas ngjarjes së rëndë të Himarës. Katër përfaqësues janë pritur brenda nga kreu i Policisë Kufitare, Sajmir Boshnjaku për të diskutuar për problematikën.

Protestuesit pretendojnë se po u dëmtohet biznesi, pasi nuk lejohet që të punojnë edhe pse e kanë gati dhe në rregull të gjithë dokumentacionin përkatëse.

Pas takimit, një prej përfaqësuesve, Skerdilajd Xhametaj tha se u kanë premtuar se kjo situatë do zgjidhet brenda dy-tre ditëve.

“Pata një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Kufirit, Sami Boshnjakun. Nuk ka pengesë ligjore nga ana jonë. Thjesht bëhet një kontroll i vendbazimeve sesi janë të ndërtuara dhe në bazë të legjislacionit. Kjo na u tha, kjo u bisedua. Kontrolli tha se mbaron shumë shpejt, pavarësisht se të gjitha janë kontrolluar. Pas incidentit me vajzën e vogël në Himarë po ngrihet edhe një rikontroll i dytë për të parë kush është i saktë. Brenda 2-3 ditëve besoj se do ketë një zgjidhje. Nga Policia kufitare ka bashkëpunim maksimal. Kjo na u tha nga drejtori i përgjithshëm,”- tha Skerdilajd Xhametaj.

Këtë herë protestuesit nga Durrësi, Vlora dhe Saranda, por edhe nga Velipoja e Shëngjini janë mbledhur për të kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e tyre, i cili po i pengon të punojnë. Vazhdimisht ata kanë kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët, për ushtrimin e aktivitetit në pjesën e mbetur të sezonit turistik, ndryshe sipas tyre, masa të rrepta nga Policia do të rrezikojnë falimentin e tyre. 

Pas tragjedisë që ndodhi në Potam, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia u përplas për vdekje nga një gomone e cila drejtohej nga Arjan Tase, ka pasur një numër të lartë kontrollesh në bregdetet shqiptare. Shumë mjete ujore u bllokuan, për të shtuar sigurinë në plazhe.

bllokimi i mjeteve lundruese vdes femija ne himare

Sondazh

Poll