Aktualitet

Pedagogia telefonon LIVE Ramën, kryeministri s'përgjigjet, paralajmërimi për peticion

Kryeministri nuk u përgjigj dhe protestuesit paralajmëruan se do të nisin një peticion për t’i kërkuar shkarkimin e ministrave Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro.

8 Gusht 2022, 21:01 Nga F.M
Pedagogia telefonon LIVE Ramën, kryeministri s'përgjigjet,
Ilirjana Kuçana

TIRANË- Qytetarët të cilët protestuan sot për vrasjen e Jonada Avdias kanë telefonuar Live kryeministrin Edi Rama. Me telefon përpara kamerave, pedagogia dhe aktivisja Ilirjana Kuçana  tentoi të fliste me kreun e qeverisë, por kjo nismë dështoi. Kryeministri nuk u përgjigj dhe protestuesit paralajmëruan se do të nisin një peticion për t’i kërkuar shkarkimin e ministrave Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro.

“Po telefonojmë live kryeministrin për ti kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe asaj të Turizmit. Rama nuk e hap telefonin. Ai nuk është kryeministri i popullit, nuk është kryeministri ynë, por ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për Jonadën, në çdo institucion. Ne do të ndërmarrim një peticion në gjithë shqipërinë, duke i kërkuar Kryeministrit të vendit të shkarkojë Kumbaron dhe Çuçin. Këtë do ta bëjmë për Jonadat e tjera të Shqipërisë,”- tha Kuçana.

Kjo është hera e dytë që qytetarët dalin në shesh për të njëjtën arsye. Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht. Vogëlushja 7-vjeçare Jonida u përplas për vdekje nga një skaf që drejtohej nga ish-shefi i komisariatit të Himarës, Arjan Tase. 

Për këtë ngjarje të rëndë është pezulluar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës, por protestuesit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kërkojnë dorëheqjen e ministrave Çuçi, Kumbaro dhe Nanos. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia. Ai është lënë në burg.

edi rama protesta per vrasjen e femijes ne himare jonada avdia ilirjana kucana

Sondazh

Poll