Aktualitet

“Toleroni horra e trafikantë”/ Nano letër vartësve: Reflektoni urgjent, policë të korruptuar e arrogantë!

Sipas mesazheve, policët janë arrogantë, nuk kanë komunikim, nuk njohin humanizëm dhe ushtrojnë presion ndaj qytetarëve për ryshfet.

8 Gusht 2022, 20:53 Nga F.M
“Toleroni horra e trafikantë”/ Nano letër vartësve:
Gledis Nano

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka kërkuar që efektivët të reflektojnë. Përmes një letre, të publikuar nga Euronews, Nano shprehet se qytetarët ankohen çdo ditë për uniformat e shtetit, kryesisht për Policinë Rrugore, Patrullën e Përgjithshme, Shqiponjat, atë Kufitare e Kriminale. Drejtori Nano shton në letër se ka marrë mesazhe të shumta nga qytetarët që kërkojnë heqjen nga detyra të shumë efektivëve. Sipas mesazheve, policët janë arrogantë, nuk kanë komunikim, nuk njohin humanizëm dhe ushtrojnë presion ndaj qytetarëve për ryshfet. Nano u bën thirrje të reflektojnë e të mos tolerojnë më kriminelët dhe ‘horrat’.

Letra e plotë:

‘Përshëndetje të nderuar Drejtues

Ditët e fundit, mua si Drejtor i Përgjithshëm më kanë ardhur shumë komente të qytetarëve për punën e policisë së shtetit.

Gjithashtu kam ndjekur me vëmendje shumicën e reagimeve të qytetarëve në rrjetet sociale.

Duke anashkaluar reagimet politike, mllefin e qytetarëve e me të drejtë, kam seleksionuar vetë disa prej tyre që për mua janë shumë shqetësuese.

Qytetarët më së shumti ankohen për sjelljen e punonjësve të Policisë, më shumë për rrugoren, patrullat, shqiponjat, policinë kufitare e atë kriminale.

Punonjës policie që sillen arrogantë me qytetarët, që nuk zbatojnë ligjin por shikojnë interesin e xhepit të tyre duke abuzuar rëndë  me detyrën dhe rrjedhimisht do kemi këtë perceptim qytetar.

Punonjës policie që nuk njohim humanizmin fare po fare, që nuk tolerojnë (brenda ligjit) qytetarët e ndershëm por tolerojnë horrat e trafikantët.

Shumë denoncime në rrjete sociale edhe për Policinë Kufitare, për marrje ryshfeti nga mjetet lundruese dhe për pasojë ndodhemi në këtë situatë sot.

Sjelle arrogante nga Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat, në shumicën e raste vetëm e vetëm për të bërë presion e për të marrë ryshfet.

Mesazhe të ngjashme me dhjetëra qindra kanë ardhur e vijojnë të vijnë. Kjo është shumë shqetësuese shumë alarmante.

Një mesazh që s’duhet të bjerë në vesh të shurdhër:

 ‘Sigurisht një pjese e mirë e policëve të vjetër duhen hequr fare se janë të korruptuar, ama me këta të rinjtë punoni me edukimin e tyre. Kanë problemë te pafundme me komunikimin me qytetaret, inferiore ne komunikimin edukativo njerëzor’.

Shumë i dhimbshëm për Policinë ky mesazh.

 ‘Mjafton të kesh një dokument policie e bën ç’të duash në këtë vend’.

Zgjodha disa prej tyre që më janë drejtuar mua si Drejtor i Përgjithshëm.

Të merrem masa të menjëhershme nga Departamentet përkatëse e mos raportoni pa i lexuar ‘dakord, dakord’. Por të reflektoni urgjent përballë këtij realiteti të skanuar nga syri qytetar.

Kjo letër vjen vetëm pak ditë pas një tragjedie të ndodhur në Himarë, ku ish-efektivi Arjan Tase përplasi për vdekje me skafin që drejtonte, 7-vjeçaren Jonada Avdia. Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht. Për këtë ngjarje të rëndë është pezulluar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës, por protestuesit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kërkojnë dorëheqjen e ministrave Çuçi, Kumbaro dhe Nanos. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia. Ai është lënë në burg.

gledis nano

Sondazh

Poll