Aktualitet

Protesta për vrasjen e 7-vjeçares, Lapaj: Qeveritë nuk zgjidhen për të dhënë ngushëllime por për të mos lejuar tragjeditë

Gjatë fjalës së tij, Lapaj ka deklaruar se ka marrë pjesë në protestë për të kërkuar drejtësi mbi vrasjen e vogëlushes.

8 Gusht 2022, 20:36 Nga I.A
Protesta për vrasjen e 7-vjeçares, Lapaj: Qeveritë nuk zgjidhen
Adriatik Lapaj

TIRANË- Avokati Adriatik Lapaj ka marrë në protestën e sotme për vrasjen e 7-vjeçares, nga polici Arjan Tase. Gjatë fjalës së tij, Lapaj ka deklaruar se ka marrë pjesë në protestë për të kërkuar drejtësi mbi vrasjen e vogëlushes. Po ashtu ai ka theksuar se në vend kanë dështuar një sërë sistemesh dhe institucionesh

“Më ka shtyrë jeta të jem këtu, mund të ishte edhe ime bije, kam besim të palëkundur se duhet të reagojmë edhe kur dëmi i ndodh të tjerëve jo vetëm kur na ndodh në shtëpinë tonë. Kanë dështuar një sërë sistemesh dhe institucionesh. Jeta e vajzës që humbi është potencialisht jeta e çdo fëmije e qytetari të këtij vendi. Duke e trajtuar hallin si të tjetrit e duke u distancuar qendrojmë një shoqëri e përçarë dhe çdo ministër na shpërfill e vijojmë rrokopujën e 30 viteve ku nuk po ndërtojmë dot një shtet normal”, u shpreh ai.

Gjithashtu Lapaj ka deklaruar se qeveritë duhet të jenë të afta dhe të marrin masa, në mënyrë që situata të tilla as mos të ndodhin dhe as mos të ketë tragjedi.

“Qeveritë nuk zgjidhen për të shprehur ngushëllime, por për të marrë masa, Kryeministri duhet të shprehet me vendime që japin sinjalin që ka reflektim, shkarkime për të dhënë mesazh që nuk marrim në mbrojtje ata që shkelin ligjin. Mos kompleksohemi fare e të mos përçahemi, është një protestë qytetare që ka në qendër jetën. Për çfarë mund të protestosh më shumë? Nuk jam organizator jam një nga qytetarët. Në shesh jam për të bërë detyrën time, qeveritë ndërrohen me votë, por kur janë në faj duhet të reflektojnë. Unë nuk e besoj që kjo do të ndodhë sepse nuk është standard i politikës sonë. Kjo nuk do të thotë që duhet të tërhiqemi. Nuk bëjnë dëm protestat por përçarja e neglizhenca. Kur s’ke bisht ta ngjisin kur ke ta presin”, u shpreh Lapaj.

Kjo është hera e dytë që qytetarët dalin në shesh për të njëjtën arsye. Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht. Vogëlushja 7-vjeçare Jonida u përplas për vdekje nga një skaf që drejtohej nga ish-shefi i komisariatit të Himarës, Arjan Tase. 

Për këtë ngjarje të rëndë është pezulluar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës, por protestuesit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kërkojnë dorëheqjen e ministrave Çuçi, Kumbaro dhe Nanos. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia. Ai është lënë në burg.

adriatik lapaj protesta per vrasjen e femijes ne himare

Sondazh

Poll