Politike

MIE reagon për inceneratorët: Janë në administrim nga shteti, pagesat kryhen në përmbushje të detyrimeve

Autoriteti Kontraktor jep miratim për transferimin e aksioneve gjatë kohëzgjatjes së kontratave koncesionare në fuqi, veprim që nuk ka ndodhur në këtë rast.

2 Gusht 2022, 21:04 Nga k.m.
MIE reagon për inceneratorët: Janë në administrim nga
Belinda Balluku

TIRANË- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar në lidhje me akuzat e bëra këtë të martë nga Partia e Lirisë për inceneratorët e Tiranës dhe Elbasanit, ku u akuzua se një punonjës u bë pronar duke përfituar miliona euro. Sipas MIE, Autoriteti Kontraktor nuk mund të ketë dijeni për huadhëniet, huamarrjet apo transaksione të tjera të kësaj natyre. Por theksuan se në fakt, Autoriteti Kontraktor jep miratim për transferimin e aksioneve gjatë kohëzgjatjes së kontratave koncesionare në fuqi, veprim që nuk ka ndodhur në këtë rast.

Paraditen e sotme, Partia e Lirisë zbuloi prova të reja në aferën e inceneratorëve dhe i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë lidhur me denoncimin e radhës për inceneratorët. Gjatë një konference për shtyp, koordinatorja e luftës kundër korrupsionit në Partinë e Lirisë, Briseida Shehaj tregoi disa dokumente ku një punonjës i thjeshtë i inceneratorit të Elbasanit e më tej atij të Tiranës, sipas saj është kthyer në pronar duke përfituar miliona euro. Punonjësi, identitetin e të cilit Shehaj nuk e zbuloi, iu referua me inicialet E.B.

Më poshtë reagimi i plotë i MIE:

Në zbatim të kontratës Koncesionare “Për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier”, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në rolin e Autoritetit Kontraktor, ka detyrimin kontraktual të garantojë pagesën e kësteve të mbështetjes financiare sipas kushteve të kontratës, konkretisht pikës 5.4.3/d të saj, që parashikon se “Në çdo kohë gjatë afatit të kësaj kontrate, AK është i detyruar, të garantojë pagesën e kësteve të mbështetjes financiare sipas aneksit V bashkëlidur kësaj kontrate dhe të mos i ndërpresë ato përveçse në rastet e parashikuara nga dispozitat 10.9 ‘Braktisja’ dhe 11 ‘Zgjidhja e kontratës së koncensionit’ të kësaj kontrate. Garantimi i pagesës së kësteve është kusht thelbësor i kontratës”.

Me vendimin e datës 28.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë vendosur në sekuestro preventive shoqëritë koncesionare së bashku me pasuritë e luajtshme dhe të paluajshme, duke i kaluar në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe duke caktuar dhe Administratorin e tyre.

Në vijim, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara i ka kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të kryejë pagesat në përmbushje të detyrimeve kontraktuale. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në përmbushje të detyrimeve të kontratës, kërkesës së Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, si dhe faturave të lëshuara prej Agjencisë, ka kryer pagesën e mbështetjes financiare për këstet mujore për muajt, prill, maj dhe qershor 2022.

Gjithashtu në zbatim të detyrimeve kontraktore, konkretisht Neni 19, pika 16.1 e kontratës “Sanksionet”, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bazuar në të dhënat e ecurisë së punimeve nga Mbikqyrësi i Punimeve, ka vendosur penalitet për mosrespektimin e afateve për dorëzimin e objektit në masën 551,250 euro, penalitet i cili rritet çdo ditë me 2250 euro/ditë.

Në përgjigje të akuzave të lëshuara sot në media nga parti politike të caktuara, të lidhura me transaksione që nuk janë pjesë e objektit të kontratave koncesionare, Autoriteti Kontraktor nuk mund të ketë dijeni për huadhëniet, huamarrjet apo transaksione të tjera të kësaj natyre. Autoriteti Kontraktor jep miratim për transferimin e aksioneve gjatë kohëzgjatjes së kontratave koncesionare në fuqi, veprim që nuk ka ndodhur në këtë rast.

autoriteti kontraktor ministria e infrastrukturës dhe energjisë tirane

Sondazh

Poll