Politike

Tragjedia në Himarë, Spiropali: Të bëhet hetim i shpejtë dhe i drejtë mbi ngjarjen

Me anë të një postimi në Facebook, Spiropali shkruan se papërgjegjshmëria e një polici i mori jetën të miturës.

2 Gusht 2022, 19:12 Nga I.A
Tragjedia në Himarë, Spiropali: Të bëhet hetim i
Elisa Spiropali

TIRANË- Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar për tragjedinë e Himarës që i mori jetën një vajze 7-vjeçare. Me anë të një postimi në Facebook, Spiropali shkruan se papërgjegjshmëria e një polici i mori jetën të miturës. Po ashtu ajo ka kërkuar një hetim të shpejtë dhe të drejtë për ngjarjen. 

Postimi i Plotë:

Ngjarja tragjike e Potamit na ka tronditur dhe lënduar të gjithëve. Një vajzë shtatë vjeçare humbi jetën e përplasur barbarisht nga një gomone. Nesër ajo mund të ishte muzikante, shkrimtare, politikane, mjeke, apo edhe thjesht bijë e një nëne dhe prind fëmijësh. E vrau papërgjegjshmëria. E vrau dalldia. Ia preu në mes jetën krimi i dikujt që moskontrolli i vetes e shndërroi nga polic, në vrasës. Nxis një hetim të shpejtë dhe të drejtë.

Hetim që jo thjesht të dënojë shkaktarin e një krimi kaq makabër, por edhe të dëshmojë se vepra të tilla kriminale do të dënohen me rreptësinë më maksimale të ligjit. Të gjitha institucionet e sigurisë duhet të ngrihen në këmbë që kjo ngjarje e rëndë të mos përsëritet kurrë dhe askund në bregdetin tonë. Lutem per shpirtin e Saj të pafajshëm. Ngushëllime familjes, edhe pse si nënë e dy fëmijëve të mitur e di se sot prindërit e vajzës janë të pangushëllueshëm. Dhimbja e tyre qoftë një klithmë për të gjithë ne që tragjedi të tilla të mos ndodhin kurrë më.

Ngjarja e rëndë ka tronditur sot opinionin publik, pasi e mitura nga Tropoja u vra teksa luante në breg të detit. Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë, ndërsa po sot, Gledis Nano e ka përjashtuar nga Policia e Shtetit.

elisa spiropali vdes femija ne himare

Sondazh

Poll