Politike

Ilir Meta, sigurims i shtetit? Berisha: Akt i shëmtuar i turpshëm i Ramës

Në postimin e tij, kryetari i PD-së Berisha shkruan se ky është një manipulim dhe falsifikim.

27 Korrik 2022, 16:30 Nga k.m.
Ilir Meta, sigurims i shtetit? Berisha: Akt i shëmtuar i turpshëm i
Ilir Meta dhe Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pasi në shkresën e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, pretendohet se Ilir Meta ka qenë spiun i ish-Sigurimit të Shtetit. Pas publikimit të këtij lajmi, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një postimi në Facebook, shkruan se ky është një akt i trupshëm i Kryeministrit Edi Rama, duke e fajësuar këtë të fundit për lajmin e publikuar. Në postimin e tij, kryetari i PD-së Berisha shkruan se ky është një manipulim dhe falsifikim. Ndër të tjera, Berisha thotë se “me këtë akt Edi Rama kërkon të zbehë vjedhjen me firmën dhe vulën e tij të qindra milionë euro në aferën e inceneratorëve”.

POSTIMI I PLOTË:

Një akt i shëmtuar i turpshëm i Edi Ramës! Pas inaugurimit të monizmit të plotë, Edi Rama, në traditën më të shëmtuar të bllokmenëve hoxhistë, i tmerruar nga opozita, urdhëron fallsifikimin dhe manipulimin e dosjeve dhe sulmoi në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish - Presidentin e Republikës Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Pa dyshim një fallsifikim dhe manipulim i shpifur ky. Ish Presidenti Meta si parlamentar i është nënshtruar nga viti 1996 deri sot verifikimit periodik si kandidat opozite dhe mazhorance për deputet në Parlamentin e Shqipërisë, nga i cili në të gjitha rastet ai ka rezultuar pa asnjë lidhje me policinë sekrete.

Me këte sulm të ulët dhe amoral Edi Rama përpiqet të vendosë në harresë firmën prej xhelati të Kristaq Ramës në varjen e poetit Havzi Nela dhe pushkatimin e qytetarëve të tjerë të pafajshëm. Me këtë sulm Edi Rama përpiqet të krijojë tymnajë për vjedhjet e tij të tmerrshme gjatë 23 viteve në pushtet si kryetar bashkie dhe kryeministër, ai përpiqet të sfumojë akuzën për 200 milionë euro të fshehura prej tij në bankat offshore të denoncuara në Raportin e OSBE - së në vitin 2014, për të cilin heshti si fije bari. Me këtë akt të ulët Edi Rama kërkon të fusë në thes sarajet e tij në Surrel të ndërtuara në një kohë kur kishte të deklaruara në ILDKP vetëm 3800 marka gjermane dhe 400 mijë lek. Ai kërkon të fusë në thes pallatin 5 katësh në pajë të ndërtuar pa asnjë faturë tatimore, ndërtimore, doganore, bankare.

Me këtë akt të ulët Edi Rama, i damkosur tashmë si hajduti më i madh në tërë historinë e shtetit shqiptar, kërkon të zbehë vjedhjen me firmën dhe vulën e tij të qindra milionë euro në aferën e inceneratorëve, kërkon të errësojë mega aferat prej miliarda euro të Butrinit, Portit të Durrësit dhe me të ashtuquajturit investitorë strategjikë, me PPP, koncesionet me tenderat sekret etj etj. Duke dënuar me forcën më tē madhe këtë akt amoral, e siguroj Edi Ramën se asgjë nuk do të shpëtojë ty dhe vjedhësit e tu të ekipit tënd ‘Hajnia‘, nga gjykimi publik popullor. sb

Çfarë ndodhi dje? Një njoftim i Autoritetit të Dosjeve se kishin zbuluar si ish-sigurims një politikan të nivelit të lartë të njoftuar si I.M, mori dhenë për të nisur një debat politik. Autoriteti nuk dha emër por reagimi pasoi nga stafi i komunikimit të ish-presidentit Ilir Meta. Tedi Blushi mohoi lajmin dhe e quajti si sulm "patronazhistësh". Por sot, Autoriteti njoftoi kryeparlamentaren Nikolla zyrtarisht. Nikolla ua ka dërguar dosjen e plotë krerëve të grupeve parlamentare në Shqipëri.

sali berisha meta ne sigurimin e shtetit

Sondazh

Poll