Politike

Sulmi kibernetik, Rama: Asnjë e dhënë s'është fshirë, shërbimet publike janë kthyer në punë

Kryeministri Edi Rama deklaron se agresioni tashmë është zmbrapsur falë ndihmës së skuadrës shqiptaro-amerikane si dhe shton se asnjë e dhënë nuk është fshirë

24 Korrik 2022, 15:08 Nga A.B
Sulmi kibernetik, Rama: Asnjë e dhënë s'është
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe një herë në lidhje me sulmin kibernetik që preku shërbimet online të zyrave të shtetit. Përmes një reagimi në 'Twitter', kreu i qeverisë kërkon nga media 'Top Channel' që të ndalojë spekulimet që sipas tij janë të pabaza. Po ashtu, ai sqaron se agresioni tashmë është zmbrapsur falë ndihmës së skuadrës shqiptaro-amerikane si dhe shton se asnjë e dhënë nuk është fshirë e se çdo shërbim është rikthyer në punë. 

REAGIMI I RAMËS:

Se cila është arsyeja që Top Channel vazhdon spekullon papërgjegjshmërisht, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin e luftës kibernetike, këtë nuk e di! Ndërkohë arsyeja pse mediat e një biznesmenit të kapur me evazion masiv bëjnë të njëjtën gjë, kuptohet më lehtë! Lajmi i mirë është se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë! Vazhdon operacioni i forcimit të mureve mbrojtëse dhe hetimit për identifikimin e sigurtë të agresorit! E gjithë ngjarja do t'i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve shembullore që po kryhen nga superskuadra e angazhuar në këto operacione. Keqardhje e madhe për keqtrajtimin që i bëhet publikut për interesa pronarësh në media.

Pas 4 ditësh e-albania, shërbimi on line i të gjithë zyrave të shtetit u sulmua. Për disa ditë u paralizuan shërbimet në pjesën më të madhe të zyrave të shtetit. Top Channel raporton se sulmi vjen nga Irani dhe se hackerat kërkojnë shpërblim 30 milionë dollarë në bitcoin.

hackerat sulmojne shqiperine edi rama

Sondazh

Poll