Politike

Largohet sot nga presidenca, jeta dhe karriera e Ilir Metës!

Meta prej 15 vitesh ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe një nga figurat kryesore të politikës shqiptare. Ai konsiderohet nga mediat dhe publiku si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë në Politikën Shqiptare pas krijimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

24 Korrik 2022, 09:22 Nga d.a.
Largohet sot nga presidenca, jeta dhe karriera e Ilir Metës!
Ilir Meta

TIRANË- lir Meta lë sot mandatin e tij 5-vjeçar si Presidenti i 7-të i Republikës së Shqipërisë, në një karrierë 31-vjeçare në politikën e vendit.

Ai u lind në Çepan të Skraparit më 24 mars 1969, ditën e Nevruzit, i biri i Rexhep dhe Fiqrete Metës. Kur ishte tre vjeç, i ati u caktua me punë në Tiranë dhe muar familjen me vete, ku Meta ndoqi dhe kreu mësimet fillore dhe të mesme. Më 1989-1993 ndoqi Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua për ekonomi politike. Meta ka përfunduar Studimet Pasuniversitare në të njëjtën fushë.

Meta është musliman bektashi dhe ka deklaruar afrinë me vlerat tradicionale bektashie. Meta është i martuar me Monika Kryemadhin që nga tetori i 2008. Ata kanë dy vajza dhe një djalë, Bora, Era dhe Besari.

Meta prej 15 vitesh ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe një nga figurat kryesore të politikës shqiptare. Ai konsiderohet nga mediat dhe publiku si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë në Politikën Shqiptare pas krijimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Meta e ka nisur rrugëtimin e tij politik në vitin 1990, si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore që përmbysi regjimin komunist. Nga viti 1992 në vazhdim, Meta është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilin ka qenë anëtar i disa komisioneve dhe gjatë periudhës 1996-1997 ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme.

Ai është njëri ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH), duke dhënë kontributin e tij për anëtarësimin e Forumit në Internacionalen e Rinisë Socialiste. Gjatë viteve të anëtarësisë së tij në FRESH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Nënkryetar (1992-1995) dhe Kryetar (1995-2001).

Ai ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nga Kongresi i Qershorit 1992 dhe anëtar i Kryesisë së Partisë nga viti 1993, deri në periudhën kur dha dorëheqjen nga kryesia e PS-së (Korrik 2003), pas problemeve që ngriti pranë strukturave drejtuese të PS-së mbi mungesën e transparencës në drejtimin e Qeverisë dhe Partisë prej Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë së asaj kohe, Fatos Nano.

Gjatë periudhës 1997-1998, Ilir Meta ka qenë Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës. Në periudhën 1993 -1996, Ilir Meta ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe nga 1994 – 1996 edhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, periudhë gjatë së cilës u vendosën marrëdhënie me shumë parti socialiste dhe socialdemokrate të Evropës, si dhe Partinë Socialiste Evropiane dhe Internacionalen Socialiste.

Aktiviteti politik i tij kulmoi kur u emërua si Kryeministër i vendit gjatë periudhës Nëntor 1999 – Shtator 2001 dhe pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të verës së vitit 2001 u rimandatua si Kryeministër, Shator 2001 – Shkurt 2002.

Gjithashtu, Ilir Meta ka shërbyer edhe si Zv.kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme gjatë periudhës Korrik 2002 – Korrik 2003, Zv.kryeministër dhe Ministër i Integrimit gjatë periudhës Tetor 1998 – Tetor 1999, si dhe Sekretar Shteti për Integrimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme Mars – Tetor 1998.

Në vitet 2003-2004, Ilir Meta ka qenë anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, i drejtuar nga ish Kryeministri i Italisë, Xhuliano Amato, komision i cili përgatiti Raportin për të Ardhmen e Rajonit të Ballkanit, dhe shtroi rrugën për pavarësinë e Kosovës.

Pas përpjekjeve brenda strukturave drejtuese të PS-së, për ndryshimin e funksionimit dhe demokracisë së brendshme në këtë force politike, më 6 shtator 2004, së bashku me 500 personalitete të tjerë dhe intelektualë të të gjitha fushave, themeluan një forcë të re politike në Shqipëri, Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Ai u zgjodh në krye të LSI-së në prill të vitit 2005, duke zbatuar për herë të parë parimin “Një anëtar, një vote”. Meta është rikonfirmuar në krye të LSI-së, në zgjedhjet e tetorit 2012 dhe së fundmi në 6 nëntor 2016. Në periudhën shtator 2009-shtator 2010, Meta ka shërbyer si Zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, e më pas si Zv. Kryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës gjatë periudhës shtator 2010-janar 2011. Në vitin 2013 Meta u zgjodh Kryetar i Parlamentit pas fitores së koalicionit PS-LSI në zgjedhje.

Në vitin 2017, Ilir Meta zgjidhet President i Republikës vetëm më votat e mazhorancës socialiste, detyrë që do e mbante deri ditën e sotme kur dorëzon zyrtarisht detyrën më të larta shtetërore tek pasuesi i tij Bajram Begaj. 5 vitet e tij në Presidencë nuk ishin të lehta, përballjet, akuzat dhe kundërakuzat do ta bënin Ilir Meten presidentin e 'zhurmshëm' dhe një faktor politik të fortë në përballjen me mazhorancën pas daljes së opozitës nga Parlamenti. 

ilir meta

Sondazh

Poll