Sport

Galtier ‘disiplinon’ PSG-në! Ky është ‘kodi etik’, që duhet t'i nënshtrohen parizienët…

Trajneri i ri dëshiron të ndryshojë disa zakone të sjelljes në dhomën e zhveshjes së kampionëve të ‘Parc des Princes’

22 Korrik 2022, 10:56 Nga DOSJA

Galtier ‘disiplinon’ PSG-në! Ky është ‘kodi

FRANCE - Nasser al Khelaifi e bëri të qartë para ardhjes së trajnerit të ri, Christophe Galtier, se disa gjëra do të ndryshojnë në skuadër. Sfida në një klub plot me yje ishte të kuptoje, se klubi do të ishte mbi të gjithë, qoftë Neymar, Messi, Mbappé apo Ramos. 

Në konferencën e parë për shtyp të teknikut, mesazhi ishte padyshim në atë drejtim. I mbështetur nga Luis Campos, drejtori i ri sportiv dhe me të cilin ka mbajtur një marrëdhënie të ngushtë që nga koha e tij në Lille, trajneri e bëri të qartë se nuk do të zbusë kërkesat e tij në procesin e vendimmarrjes.

Por nga fjalët, ishte e nevojshme të kalonin në vepra. Dhe e vërteta është se që nga turi që PSG po zhvillon në Japoni, trajneri po zbaton rregullat e reja të dhomës së zhveshjes, për të cilat kanë rënë dakord fillimisht me Luis Campos dhe më pas trajneri ia ka komunikuar edhe vetë lojtarëve.

Burimet të PSG-së konfirmojnë për ‘MARCA’, se këto rregulla pothuajse të gjitha synojnë të vënë më shumë theksin te disiplina. Këto janë edhe më të rëndësishmet.

Kush është vonë, të shkojë në shtëpi:

Ata që kanë qenë në sezonet e fundit në Camp de Loges, qendra stërvitore e PSG-së, kanë mundur të vërejnë se ardhja e lojtarëve në klub nuk ishte tepër e kontrolluar. Sigurisht, vonesa nënkuptonte një gjobë, por vetëm kaq. Me Galtier, lojtarët duhet të mbërrijnë në kampin stërvitor midis orës 8:30 dhe 8:45. Dhe kushdo që arrin në derën e hyrjes së parkingut me vonesë dhe pa asnjë arsye, nuk do të pranohet dhe do të duhet të kthehet në shtëpi.

Galtier ‘disiplinon’ PSG-në! Ky është ‘kodi

Nuk ka celularë gjatë vakteve:

Në mëngjes dhe drekë, lojtarët nuk do të mund të përdorin celularët e tyre. Galtier dhe Campos duan një marrëdhënie më të rrjedhshme mes skuadrës, megjithëse të dy kanë konfirmuar, se lojtarët formojnë një grup të mirë. Por ata konsiderojnë se për të promovuar një atmosphere edhe më të mire, duhet të jetojnë pak më shumë bashkë dhe konsiderojnë se vaktet janë një kohë e mirë për të bërë shaka dhe për të shkëmbyer përvoja së bashku.

Mëngjesi dhe dreka në ‘Camp des Loges’:

Është një kërkesë që do të instalohet më lehtë dhe mbi të gjitha më komode, kur të jetë gati ‘qyteti i ri sportiv’, i cili përfshin rezidencën për ekipin e parë dhe akademinë e të rinjve, në qytetin e Poissy. Por Galtier e ka bërë tashmë të qartë, se mëngjesi dhe dreka do të kërkohen në ‘Camp des Loges’ shumicën e ditëve. Vitet e fundit në dhomat e zhveshjes së PSG-së u vlerësuan ndjeshëm klanet e ndryshme të grupit: amerikano-jugorët me Messin dhe Neymar si referencë, grupi i Mbappe dhe Achraf, grupi i Ramos dhe Keylor Navas...

Një dhomë zhveshjeje ka nevojë për drejtësi dhe ajo vlen për të gjithë

Në këto javë të para të bashkëjetesës, klubi ka konfirmuar përgjigjen pozitive të skuadrës, ku reagimi dhe angazhimi i Neymar kanë tërhequr vëmendjen. Edhe pse është e vërtetë që klubi e hodhi në treg këtë verë, Galtier është i vendosur të nxjerrë më të mirën nga braziliani, që duket i gatshëm t'i përgjigjet trajnerit të tij. Trajneri konfirmoi edhe ndryshimin e rregullave: "Do të ketë rregulla bashkëjetese, që do t'ia prezantoj grupit. Do të ketë gjëra të negociueshme, por edhe të tjera të panegociueshme. Do të flas me lojtarët sepse detyrimet ekstrasportive të lojtarëve duhet të merren parasysh. Ne nuk jemi ushtri. Nuk do marr kurrë një vendim pa marrë parasysh mendimin e të tjerëve, e rendësishme është që presidenti im dhe menaxhmenti i sportit më mbështet. Një dhomë zhveshjeje ka nevojë për drejtësi dhe drejtësia vlen për të gjithë. Disiplina e grupit është baza e suksesit.”

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll