Sport

Salah, Mané dhe Mendy, tre ‘britanikë’ pretendentë për ‘Topin e Artë’ të Afrikës

Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) do të shpallë fituesin më 21 korrik në Rabat, kryeqytetin e Marokut

20 Korrik 2022, 18:21 Nga DOSJA

 

Salah, Mané dhe Mendy, tre ‘britanikë’ pretendentë
Nga e majta: Mohamed Salah (30 vjeç), Sadio Mané (30) dhe Edouard Mendy (30)

MAROK - Konfederata Afrikane e Futbollit ka shpallur tre finalistët, për atë që njihet si ‘Topi i Artë’ Afrikan. Pretendenti do të jetë mes Mohamed Salah (30 vjeç), Sadio Mané (30) dhe Edouard Mendy (30). CAF do të shpallë fituesin në një ceremoni gala, që do të mbahet nesër, më 21 korrik, në kryeqytetin maroken të Rabatit.

Favoritet për të fituar trofeun e ‘Lojtarit Afrikan të Vitit’ janë dy sulmuesit: Salah dhe Mané, që kanë qenë lojtarë kyç në skemat e përdorura nga Jurgen Klopp te Liverpool. Të dy janë kampionë, si të Kupës së Ligës, ashtu edhe të Kupës FA me ‘të kuqtë’. Përveç kësaj, ata janë nënkampionë në Europë me Liverpoolin, pasi humbën finalen kundër Madridit.

Përveç kësaj, Sadio Mané ka avantazhin ndaj atij, që deri pak muaj më parë ishte shoku i tij i skuadrës, pasi ka fituar edhe Kupën e Afrikës 2022. Senegali ia rrëmbeu titullin Egjiptit në finalen e turneut në penallti, ku kandidati i tretë, Edouard Mendy, ishte çelësi për të fituar titullin për ekipin e tij.

Megjithatë, pavarësisht se ishte portier titullar i Chelseas së Tuchel në kompeticionet e mëdha, portieri senegalez nuk ka qenë aq me fat me ekipin e tij, sa konkurrentët e tij. Chelsea humbi finalet e Kupës së Ligës dhe FA Cup kundër Mané dhe Liverpool të Salah, u dorëzua shpejt në Premierligë pas një fillimi të mirë në kampionat.

Letrat e secilit prej kandidatëve janë në tavolinë dhe nesër më në fund do të dimë se kush është futbollisti më i mirë për CAF. Gjithashtu do të shpërndahen çmimet, si për meshkuj ashtu edhe për femra, për ‘Golin e Vitit’, Ekipin afrikan, kombëtaren, trajnerin, ‘Lojtarin e Ri’ dhe ‘Lojtarin Afrikan të Vitit’.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll