Politike

RMV ka në dorë negociata për Shqipërinë, Varhelyi: S'flas dot për ta, vendos parlamenti

Varhelyi u pyet nga gazetarët për këtë gjë, por tha se nuk mund të japë asnjë koment mbi vendimin e parlamentit të një vendi sovran. 

14 Korrik 2022, 19:34 Nga F.M
RMV ka në dorë negociata për Shqipërinë, Varhelyi:
Oliver Varhelyi

VLORË- Komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin Oliver Varhelyi nuk ka preferuar të bëjë asnjë koment në lidhje me vendimin që mund të marrë Maqedonia e Veriut për pranimin ose jo të propozimit francez. I ndodhur në Vlorë, Varhelyi u pyet nga gazetarët për këtë gjë, por tha se nuk mund të japë asnjë koment mbi vendimin e parlamentit të një vendi sovran. 

"Nëse keni një pyetje për Maqedoninë e Veriut, duhet t;ua bëni atyre, unë nuk përgjigjem dot për ta. Kam shpresa që do të ketë sinjale pozitive, puna jonë është bërë, Von Der Leyen ju e keni parë që ka bërë përpjekje dhe propozimi francez gjithashtu. Ideja është që kjo është demokraci, është normale të pyeten të gjithë përfaqësuesit e popullit,"- tha Varhelyi. 

Në Shkup që nga 2 korriku, janë zhvilluar protesta të përditshme kundër propozimit të cilat janë thirrur dhe përkrahur nga opozita, kryesisht VMRO DPMNE e Hristijan Mickoskit dhe partia “E Majta” e Dimitar Apasievit. Ata kanë kërkuar që propozimi të refuzohet pasi në të nuk respektohet gjuha dhe identiteti maqedonas si dhe çon në bullgarizimin e vendit. Deri më tani, propozimi është pranuar vetëm për koalicionin qeveritar të LSDM dhe BDI, partitë parlamentare shqiptare dhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski. Fillimi i negociatave të BE-së me Shkupin është bllokuar nga vetoja e Bullgarisë që nga nëntori 2020 për një mosmarrëveshje mbi gjuhën dhe historinë, dhe Brukseli e ka lidhur përparimin e Tiranës në rrugën e BE-së me atë të Maqedonisë së Veriut. Një vit më parë, rruga evropiane e këtyre dy vendeve u bllokua nga Franca, duke insistuar në ndryshimin e metodologjisë së negociatave.

Rama ishte sot në Vlorë me komisionerin Varhelyi te cilin e prezantoi me ByPass-in e Vlorës që u inagurua një javë më parë dhe lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë dhe që prej kësaj të enjte është i hapur për të gjitha automjetet. Rruga e re ka një gjatësi prej 29 kilometrash dhe mund të përshkohet në vetëm 30 minuta. Përfundimi i punimeve në këtë aks, do të plotësohet me rrugën Orikum-Dukat dhe më pas me tunelin e Llogarasë, investime që janë në proces.

oliver varhelyi edi rama

Sondazh

Poll