Sport

Filloi gjyqi ndaj amerikanes Brittney Griner në Rusi, akuzohet për kontrabandë droge

Basketbollistja, kampione olimpike dhe botërore Brittney Griner, filloi këtë të premte në gjykatën e Khimki. Ajo luan që nga viti 2015 në Rusi.

1 Korrik 2022, 13:25 Nga DOSJA
Filloi gjyqi ndaj amerikanes Brittney Griner në Rusi, akuzohet për

RUSI - Gjyqi kundër basketbollistes amerikane, kampione olimpike dhe botërore,  Brittney Griner, e akuzuar për kontrabandë droge, filloi këtë të premte në gjykatën Khimki, një qytet satelit i Moskës. Vetëm dy gazetarë të huaj, të dy anglo-saksonë, u lejuan të hynin në sallë, gjë që shkaktoi protesta nga mediat që erdhën për të mbuluar seancën, në të cilën prokuroria pritet të paraqesë akuzat dhe të vendosë rendin e gjyqit.

Griner, 31 vjeç, një lojtare e UGMK Yekaterinburg, u ndalua më 17 shkurt në aeroportin ‘Sheremetvo’ të Moskës, kur zyrtarët e doganës gjetën vaj kanabisi në valixhet e saj dhe e arrestuan. Amerikania, që luan për skuadrën ruse që nga viti 2015, mund të dënohet deri në 10 vjet burg për kontrabandë droge.

Familja e basketbollistit i është drejtuar presidentit amerikan Joe Biden për të siguruar lirimin e Grinerit, ndërsa WNBA, si edhe NBA, gjithashtu kanë kërkuar lirimin e saj. Arrestimi i Griner ndodhi në një kohë të tensioneve të rritura midis Moskës dhe Uashingtonit, gjë që ka ngritur dyshime për motivimin e mundshëm politik të rastit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, mohoi sot se procedimi penal kundër basketbollistes ka një sfond politik. "Nuk mund të komentoj punën e Drejtësisë. Faktet tregojnë se sportistja e famshme u arrestua me substanca të ndaluara që përmbanin lëndë narkotike",- tha Peskov në konferencën e tij të përditshme për shtyp, duke shtuar se ky është një krim i dënueshëm me ligj. Prandaj, tha ai, rasti “nuk mund të jetë i motivuar politikisht”.

"Këmbëngul, ky është vetëm një verifikim i asaj për të cilën ajo u arrestua dhe çfarë parashikon legjislacioni ynë. Vendimet janë nxjerrë nga gjykata,"- sqaroi Peskov.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll