Sport

Napoli, Mertens gati të heqë dorë nga 2 milionë euro vetëm për të qëndruar

Pas 9 vitesh, belgu dukej i destinuar të largohej nga Castel Volturno. Tani ai ka ndryshuar mendje dhe 'topi' është në anën e klubit

22 Qershor 2022, 10:52 Nga DOSJA
Napoli, Mertens gati të heqë dorë nga 2 milionë euro

ITALI - “Ciro” dëshiron të qëndrojë. Historia mes Napolit dhe golashënuesit më të mirë në histori mund të vazhdojë. Pikërisht kur u duk e destinuar që rrugët të ndaheshin, belgu vendosi të parashtronte kërkesat e tij. Dashuria për Napolin, por ndoshta edhe mungesa e një alternative të kënaqshme, e bindi se zgjidhja më e mirë ishte të qëndrojë në qytetin që e priti si bir dhe që tani është si shtëpia e tij. 

Kontakti i fundit mes Mertens dhe Napolit daton në maj, kur avokatët e sulmuesit i dërguan një email klubit. Një kërkesë që dukej e detyrueshme për napolitanët dhe që kishte lënë De Laurentis dhe njerëzit e tij mjaft të hutuar: 2 milionë pagë dhe gati dyfishi si bonus me nënshkrimin e kontratës dyvjeçare. Një marrëveshje e përgjithshme me vlerë rreth 4 milionë euro, është shumë përtej buxhetit që Napoli kishte lënë mënjanë për të bindur belgun të qëndronte. Nga ai moment ka rënë ngrica mes palëve. 

“Ciro”, sepse kështu e thërrasin tani fansat napolitan, ndoshta e ka menduar mirë. Në moshën 35 -vjeçare, gjetja e një klubi europian që luan Champions League dhe është i gatshëm të plotësojë kërkesat e tij është pothuajse një utopi. Kthimi në Belgjikë për t'i dhënë fund karrierës së tij nuk ka qenë kurrë një mundësi për Mertens, i cili ende ndihet si një top lojtar i rëndësishëm në Seria A. 

Pastaj është edhe dashuria për një qytet dhe një popull që e ka adoptuar si djalë dhe që është bërë si shtëpia e tij. Prandaj, belgu është i gatshëm të rishikojë pretendimet e tij dhe të heqë pothuajse gjysmën, midis shpërblimeve dhe pagave, të asaj që kishte kërkuar përmes avokatëve të tij. Asnjë kontakt direkt tani për tani, por ‘topi’ është te Napoli, i cili do të duhet të studiojë ofertën e re, të vlerësojë nëse është e realizueshme dhe të japë një përgjigje.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll