Politike

Uji i ‘Syrit të Kaltër’ do i jepet Greqisë? Ministria e Turizmit: E pavërtetë, s’ka marrëveshje

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit njofton se nuk ka asnjë marrëveshje dhe se pretendimet e ngritura janë të pavërteta.

21 Qershor 2022, 16:45 Nga k.m.
Uji i ‘Syrit të Kaltër’ do i jepet Greqisë? Ministria
Ministria e Mjedisit dhe Turizmit

TIRANË- Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka mohuar lajmin e shpërndarë nga mediat greke, ku kryebashkiaku i ishullit të Korfuzit, George Machimaris pretendonte se i kishin propozuar qeverisë shqiptare që të furnizoheshim me ujë nga ‘Syri i Kaltër’ në Sarandë. Por lajmi është përgënjeshtruar sot, Ministria njofton se nuk ka asnjë marrëveshje dhe se pretendimet e ngritura janë të pavërteta.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nisur nga disa lajme të përhapura në media të ndryshme mbi një propozim/memorandum teknik të supozuar të furnizimit me ujë me transferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit, sqaron: Nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm sipas lajmit të përhapur nga mediat. Pretendimet e ngritura janë të pavërteta. Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut,”- thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Mediat greke kanë raportuar se në Greqi është ngritur çështja e transferimit të ujit nga Shqipëria, për të përballuar mungesën e pritshme të ujit në dekadat e ardhshme në ishullin e Korfuzit. Sipas tyre, qeveria po përgatitet një marrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë, për të ndërhyrë tek Syri i Kaltër në Sarandë dhe për t’ia transferuar ujin e kulluar të burimit nëntokësor Greqisë.

ministria e mjedisit dhe turizmit syri i kalter i jepet greqise

Sondazh

Poll