Politike

VD-Berisha: Heqja e taksës së "Rrugës së Kombit", një nga dy vendimet e para të PD në qeveri

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk njohu gjenocidin serb në Kosovë

20 Qershor 2022, 13:46 Nga f.g
VD-Berisha: Heqja e taksës së "Rrugës së Kombit",
Sali Berisha, ish-kryeminister

TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se një nga dy vendimet e para të PD në qeveri do të jetë heqja e taksës së Rrugës së Kombit. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk njohu gjenocidin serb në Kosovë, ndërsa shtoi se “krahas njohjes së gjenocidit, do të jetë marrëveshja e parë, përveç heqjes së taksës në Rrugën e Kombit, që do të firmoset nga qeveria e ardhshme e PD”.

"Edi Rama në qoftë se do të kishte minimumin e respektit për qytetarët e Kosovës, vuajtjen dhe sakrificën e tyre, martirizimin e tyre në më shumë se 150 vitet e fundit, duhet të shkonte këtë herë në Kosovë duke pas njohur genocidin ciklik serb në Kosovë. Janë 1400 qenie të pafajshme që u vranë e u dogjën vetëm e vetëm se kishin prindër shqiptarë në shtëpitë e tyre. Në këtë aspekt mohimi që ai i bën genocidit ciklik serb në Kosovë që fillon nga gjysma e dytë e shekullit të 19 dhe përfundon me operacionin Patkoi në 1999 është një akt akuzë shumë e rëndë për karakterin dhe ndërgjegjen kombëtare.

T’i mohosh këto është një lloj si të shkelmosh mbi shpirtrat, gjakun e tyre, por kur këta janë shqiptarë, kjo është forma më e lartë e tradhtisë kombëtare. Ndaj dhe unë mund të kem shumë probleme tjera për të shtruar sot në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës, por zgjodha vetëm këtë, sepse edhe marrëveshjet, unë i ndoqa recitimet e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, në një kohë kur shqiptarët presin një marrëveshje, dyshtetësinë, apo shtetësinë sipas dëshirës, kjo është marrëveshja që presin shqiptarët, por këtë natyrisht, krahas njohjes së gjenocidit, do të jetë marrëveshja e parë, përvec heqjes së taksës në Rrugën e Kombit, që do të firmoset nga qeveria e ardhshme e PD", tha Berisha.

Deklaratat vijnë pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Kosovë. Rama ndodhet prej dy ditësh në Kosovë ku sot u zhvillua edhe mbledhja e përbashkët mes dy qeverive. Në mbledhjen e sotme u miratuan 19 marrëveshje të përbashkëta për bashkëpunim dhe lehtësi për qytetarët e dy vendeve.

sali berisha edi rama edi rama ne kosove mbledhja shqiperi-kosove

Sondazh

Poll