Politike

VD-Mbledhja në Prishtinë, Berisha: Forma më e lartë e tradhëtisë Kombëtare

Sipas Berishës, të mohosh genocidin do të thotë që të shkelmosh mbi shpirtrat e shqiptarëve. 

20 Qershor 2022, 13:29 Nga F.M
VD-Mbledhja në Prishtinë, Berisha: Forma më e lartë e
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha e ka konsideruar një tradhëti kombëtare faktin që kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë bashkë me kabinetin e tij. Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se mohimi që ai i bën genocidit ciklik serb në Kosovë që fillon nga gjysma e dytë e shekullit të 19 e përfundon me operacionin Patkoi, është një aktakuzë shumë e rëndë për karakterin, për ndërgjegjen e tij kombëtare, por edhe për vlerat, qytetarinë e tij. Sipas Berishës, të mohosh genocidin do të thotë që të shkelmosh mbi shpirtrat e shqiptarëve. 

"Sot Rama dhe kabineti i tij ndodhet në Kosovë. Çdo mbledhje e përbashkët, midis qeverisë së Shqipërisë e Kosovës është akt që duhet përshëndetur. Por Rama nëse do të njihte minimumin e minimumit të respektit për qytetarët e Kosovës, martirizimin e tyre në më shumë se 150 vitet e fundit duhet të shkonte këtë herë në Kosovë duke pas njohur genocidin ciklik serb në Kosovë, duke pas njohur infanticidin. Janë 1400 engjëj, vogëlush, qenie të pafajshme të cilët u vranë, u therën u dogjën, vetëm për fajin e vetëm se kishin prindër shqiptarë. Në këtë aspekt, mohimi që ai i bën genocidit ciklik serb në Kosovë që fillon nga gjysma e dytë e shekullit të 19 e përfundon me operacionin Patkoi, është një aktakuzë shumë e rëndë për karakterin, për ndërgjegjen e tij kombëtare, por edhe për vlerat, qytetarinë e tij. Ti mohosh këto, është njëlloj si të shkelmosh mbi shpirtrat, gjakun e tyre. Kur këta janë shqiptarë kjo është forma më e lartë e tradhtisë kombëtare. Unë mund të kem shumë probleme të tjera për të shtruar sot para jush por zgjodha vetëm këtë sepse dhe marrëveshjet, unë e ndoqa, recitimet e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare,"- tha Berisha. 

Deklaratat vijnë pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Kosovë. Rama ndodhet prej dy ditësh në Kosovë ku sot u zhvillua edhe mbledhja e përbashkët mes dy qeverive. Në mbledhjen e sotme u miratuan 19 marrëveshje të përbashkëta për bashkëpunim dhe lehtësi për qytetarët e dy vendeve.

sali berisha

Sondazh

Poll