Sport

Briken Calja drejt Lojërave Mesdhetare, por si ‘trajner' i Erkand Qerimajt...

Edhe pse Shqipërisë do t’i mungojë në Lojrat Mesdhetare të Algjerit, kampioni i Botës, në peshëngritjes, ai do të jetë atje për të ndihmuar rivalin e tij për të fituar medalje

16 Qershor 2022, 20:04 Nga DOSJA
Briken Calja drejt Lojërave Mesdhetare, por si ‘trajner' i
Dy kampionët rivalë: Erkand Qerimaj (majtas) dhe Briken Calja

TIRANE - Shqipëria po përgatitet për Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në Algjeri, por përfaqësueses kuqezi do t’i mungojë kampioni i Botës në peshëngritje Briken Calja, i dëmtuar në kampionatin e fundit europian, ku doli edhe pa rezultat. Sot ai vazhdon fazën e rikuperimit, me shpresën për të shëruar sa më shpejt.

“Eshtë vërtetë për të ardhur keq, pasi Lojërat Mesdhetare janë shumë të rëndësishme, por në mbi të gjitha është shëndeti. Aktualisht jam në një fazë rikuperimi dhe relaxi, mund të them se rrezikun më të madh e kam kaluar, sepse nuk do të kem nevojëpër ndërhyrje kirurgjikale. Tashmë më duhet të bëj vetëm terapi që të rikthehem sa më shpejt,”- deklaron kampioni Calja për 'Top Channel' .

Po sa peshon mungesa e Caljes në këto Lojëra?

“Dua të them që Briken Calja do të na mungojë sepse ishte një medalje e sigurtë në Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në Algjeri. Ekipi shqiptar në këto Lojëra do të shkojë me 5 sportistë, peshëngritja përsëri do të jetë në zonën e medaljeve dhe do të synojë medalje me Evangjeli Velin, Erkand Qerimajn dhe sportistët e tjerë,”- shprehet presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza.

Presidenti i shtangës shqiptare, Gjoza, na zbulon edhe risinë e këtij sportive në këto Lojëra Mesdhetare.

“Unë mund të them që Brikeni do të jetë, dhe së bashku me trajnerin e Erkand Qerimajt, do ta nxjerrin Erkandin të garojë. Kjo është risi për federatën tonë, ndodh për herë të parë në Federatën e Peshëgritjes, por duhet të jetë një model edhe për të gjithë federatat e tjera. Ne garojmë, jemi konkurentë, por në fund të fundit ne i japim medalje Shqipërisë”.

Po si ka qenë ky lajm për Caljen, që do t’i duhet të ndihmojë rivalin e tij më të fortë të karrierës në vend?

 “Ne kundërshtarë jemi në pedanë, në jetën e përditshme ne jemi miq, jemi shokë dhe absolutisht që i uroj gjithë të mirat, sepse do të ishte një gjë shumë e mirë që medalja të vinte në Shqipëri dhe nuk ka asgjë të keqe edhe pse është kundërshtari im. Unë i uroj më të mirat dhe pse jo të mos jem edhe mbështetje e suport për të në kampionat për ta ndihmuar”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll