Aktualitet

Sekuestrohet 'Tree Hotel' e Erion Demollit. Policia: Pasuri e ardhur nga krimi

Pasuria me sipërfaqe 182 m² truall, ndërtesë 147 m² dhe kat shtesë 176 m², që ndodhet në rrugën “Naum Voskopoja” në Korçë ishte vendosur në emër të një gruaja 60-vjeçare me inicialet L. K.

15 Qershor 2022, 13:28 Nga k.m.

Sekuestrohet 'Tree Hotel' e Erion Demollit. Policia: Pasuri e ardhur

KORÇË- ‘Tree Hotel’’ është sekuestruar nga policia me dyshimin se është ndërtuar nga të ardhurat e parave të gjeneruara nga krimi, prej Erion Demollit, i dënuar më parë me drohë. Pasuria me sipërfaqe 182 m² truall, ndërtesë 147 m² dhe kat shtesë 176 m², që ndodhet në rrugën “Naum Voskopoja” në Korçë ishte vendosur në emër të një gruaja 60-vjeçare me inicialet L. K. Por nga hetimi dyshohet se kjo pasuri rrjedh nga aktiviteti kriminal i Erion Demollit janë investuar në biznesin në emër të 60-vjeçares, me të cilën ka lidhje familjare.

Erion Demolli u vu në pranga të policisë në kuadër të operacionit ‘Limit’ si pjesë e grupeve kriminale. Hetimet e shtrira në një periudhë 3-vjeçare (2016-2019) zbuluan skemën e grupeve kriminale, të cilat siguronin fara kanabisi në Holande dhe më tej kalonte tranzit në Greqi, me qëllim ardhjen në Shqipëri, ku edhe bëhej edhe përpunimi në laboratorë të posaçme për kultivimin e lëndëve narkotike. Droga trafikohej në Greqi, Turqi dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive qe rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Sekuestrohen pasuri që arrijnë vlerën 15.100.000 lekë, në pronësi të një 35-vjeçari me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Në vijim të punës për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, pas një periudhe dyvjeçare hetimesh, u bë ekzekutimi i vendimit të datës 08.06.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për vendosjen e sekuestros preventive për një pasuri me sipërfaqe 182 m² truall, ndërtesë 147 m² dhe kat shtesë 176 m², në rrugën “Naum Voskopoja”, Korçë. Kjo ndërtesë funksiononte si hotel dhe ishte në pronësi të shtetases L. K., 60 vjeçe, banuese në Korçë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo pasuri ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal i shtetasit E. D., 34 vjeç, banues në Korçë, i cili është dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal, ky shtetas dyshohet se i ka investuar në biznesin në emër të shtetases L. K., me të cilën ka lidhje familjare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.

erion demolli korce

Sondazh

Poll