Sport

Estonia, ‘viktima’ e Kombëtares kuqezi për të harruar humbjen me Izraelin

Pas ndeshjes së dytë zyrtare të Nations League, trajneri Edi Reja ka lënë të lirë 10 lojtarë, mes tyre pjesë edhe të formacionit të parë si Gjimshiti, Asllani, Bajrami, Kumbulla, Gjasula, Cikalleshi, Ismajli apo Balliu.

13 Qershor 2022, 11:58 Nga DOSJA
Estonia, ‘viktima’ e Kombëtares kuqezi për të harruar

TIRANE - Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë pasditen e sotme, në orën 18:00, miqësoren me Estonin në stadiumin ‘Air Albania’ të kryeqytetit. Humbja me Izraelin pak ditë më parë ka lënë shije jo të mirë, ndërkohë që për këtë ndeshje ka një ‘revolucion’ sa i përket lojtarëve që priten të akvitizohen në këtë përballje.

Menjëherë pas ndeshjes së dytë zyrtare të Nations League, trajneri Edi Reja ka lënë të lirë 10 lojtarë, mes tyre pjesë edhe të formacionit të parë si Gjimshiti, Asllani, Bajrami, Kumbulla, Gjasula, Cikalleshi, Ismajli apo Balliu.

Seanca e së dielës pasdite ka qenë thjesht formale, pa ndonjë taktikë të veçantë për këtë ndeshje përballë Estonisë, një kundërshtar i cili vjen si rrjedhojë e përmbushjes së programit të kësaj faze të Nations League, ku në grupin tonë mungon Rusia e përjashtuar për shkak të luftës në Ukrainë.

Sa i përket historikut të përballjeve me Estoninë, kjo e mbrëmjes së sotme do të jetë e katërta. Tri takimet e para kanë qenë të gjitha miqësore, ndërkohë që zyrtarisht nuk i kemi hasur në asjë kompeticion ndërkombëtar.

Sfida e parë përkon në vitin 2003. Kuqezinjtë fitonin 2-0 në kryeqytetin shqiptar, falë golave të Adrian Aliajt dhe Alban Bushit. Një vit më pas, kuqezinjtë barazuan në transfertë në Estoni me shifrat 1-1, po me gol të Ardian Aliajt, ndërkohë që ndeshja e fundit është luajtur në vitin 2009, sërish në transfertë. Dueli përfundoi në barazim të bardhë 0-0.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll