Politike

Shqipëria nisi presidencën njëmujore të Këshillit të Sigurimit, cilat janë temat që do trajtohen

Do të mbahet një debat i hapur mbi forcimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e ligjit ndërkombëtar si dhe një debat i hapur në nivel ministror mbi rolin e organizatave rajonale në zbatimin e agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë në kontekste të trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë.

2 Qershor 2022, 16:09 Nga DOSJA
Shqipëria nisi presidencën njëmujore të Këshillit
Ferit Hoxha

SHBA- Shqipëria ka nisur presidencën e saj të rradhës njëmujore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më datë 1 qershor ku sipas programit të punës të Këshillit për muajin, planifikon të organizojë dy ngjarje.

Do të mbahet një debat i hapur mbi forcimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e ligjit ndërkombëtar si dhe një debat i hapur në nivel ministror mbi rolin e organizatave rajonale në zbatimin e agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë në kontekste të trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë.

Këshilli pritet të mblidhet për dy çështje evropiane në qershor. Më 6 qershor pritet të mbahet një konferencë mbi ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë. Këshilli do të mbajë gjithashtu takimin e tij vjetor për forcimin e bashkëpunimit BE-OKB.

Për sa i përket çështjeve aziatike, Këshilli i Sigurimit do të zhvillojë një debat për Misionin e Asistencës së OKB-së në Afganistan. Në kontinentin amerikan, do të ketë konsultime për Zyrën e Integruar të OKB-së në Haiti.

Më 9 qershor, Asambleja e Përgjithshme pritet të zgjedhë pesë anëtarë të Këshillit të Sigurimit për mandatin 2023-2024, të cilët janë Ekuadori, Japonia, Malta, Mozambiku dhe Zvicra.

Çështje të tjera mund të ngrihen në qershor në varësi të zhvillimeve, sipas programit të punës të Këshillit të Sigurimit. Këshilli i Sigurimit ka 15 anëtarë dhe përgjegjësia e tij kryesore është ruajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Presidenca e Këshillit mbahet nga çdo shtet anëtar për një muaj.

Sondazh

Poll