Bota

Raporti i Eurostat: Inflacioni në eurozonë arrin shifrën rekord, kryeson Gjermania dhe Austria

Të dhënat më të fundit të publikuara nga agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian “Eurostat” treguan se inflacioni vjetor në muajin maj ka kaluar rekordin e mëparshëm prej 7.4 për qind të arritur në dy muajt e mëparshëm.

31 Maj 2022, 13:01 Nga DOSJA
Raporti i Eurostat: Inflacioni në eurozonë arrin shifrën rekord,
Foto ilistruese

BRUKSEL- Inflacioni në vendet e BE-së po përshpejtohet nga muaji në muaj dhe po arrin nivele rekord. Inflacioni në nivel të BE-së u hodh në 8.1 për qind këtë muaj, me Austrinë dhe Gjermaninë që kryesojnë në rritjen e çmimeve.

Të dhënat më të fundit të publikuara nga agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian “Eurostat” treguan se inflacioni vjetor në muajin maj ka kaluar rekordin e mëparshëm prej 7.4 për qind të arritur në dy muajt e mëparshëm.

Inflacioni aktual në Gjermani është më i larti që nga vitet 1970 dhe rritja e çmimeve të konsumit në maj tejkaloi të gjitha vlerësimet e ekonomistëve, të cilët prisnin rritje deri në 7.7 për qind.

Inflacioni në Austri vazhdoi të rritet në maj, duke arritur një normë prej tetë për qind, sipas vlerësimit të parë të Entit Statistikor. Në muajin prill, inflacioni ishte 7.2 për qind. Drejtori i Entit të Statistikave, Tobias Thomas, theksoi se kjo është norma më e lartë e inflacionit që nga shtatori 1975. Arsyeja e rritjes së ndjeshme të inflacionit është rritja drastike e çmimeve të energjisë.

Çmimet e energjisë u rritën me 39.2%, duke nënvizuar se si lufta dhe kriza globale e energjisë po e bëjnë më të shtrenjtë jetesën për 343 milionë banorët e eurozonës.

(d.a/dosja.al)

 

Sondazh

Poll