Politike

Gara për Kryesinë e PD, Berisha: Lista ka emra të shkëlqyer

Sipas tij, ditën e nesërme do të publikohet në ekranet televizive çdo votë për çdo kandidat të votuar në listë.

27 Maj 2022, 21:52 Nga DOSJA

Gara për Kryesinë e PD, Berisha: Lista ka emra të shkëlqyer

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një prononcim për mediat, ka komentuar listën me 46 kandidatët e tij për Kryesinë e PD, që do të votohen nesër në Këshillin Kombëtar. Në fjalën e tij, Berisha tha se kandidatët e propozuar nga Komisioni i Rithemelimit janë kandidatura me kredenciale të shkëlqyera politike, ose personazhe që kanë hasur në padrejtësi.

Sipas tij, ditën e nesërme do të publikohet në ekranet televizive çdo votë për çdo kandidat të votuar në listë.

“Të gjithë u angazhuan në krye të herës, në këtë proces, dhe dhanë një kontribut substancial në realizimin e tij, në rikthimin, rivendosjen, e pluralizmit të vërtetë politikë në Shqipëri, Rithemelimin e PD, si forcë politike opozitare e vërtetë, si forcë politike e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve dhe minoritarëve, e dinjitetit njerëzor, e tregut të lirë dhe konkurrencës së lirë, e interesit kombëtar, patriotizmit, e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar dhe integrimit europian dhe euroatlantik të Shqipërisë.

Komisioni në mbledhjen e tij ka miratuar listën për kryesinë e kandidatëve që do zgjidhet nesër nga Këshilli Kombëtar i kësaj partie. Janë propozuar kandidatura me krendenciale të shkëlqyera politike. Por edhe të rinj. Lista do u shpërndahet mediave dhe anëtarët do të kenë mundësi që të zgjedhin Kryesinë e PD. Ju nëse do të keni durim dhe interes do të shihni në ekran çdo votë, për çdo kandidat. Mungesa e kritikëve? Në listë janë paraqitur kontributet e Rithemelimit. Zonja dhe Zotërinj me kontribut. Natyrisht, lidhur me ata që kanë vërejtje, sugjerime dhe kritika, janë të mirëpritur të vazhdojnë pa asnjë hezitim. Por unë gjykoj se kriter bazë kanë qenë kontributet, padrejtësitë që janë bërë. Psh është propozuar Jozefina Topalli dhe Arben Imami,"-tha Berisha.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll