Politike

'Elbasani', mollë sherri/ 'Ta hetojë SPAK', Bardhi-Berishës: Je palë me bandat, dyfishova mandatet

Vazhdojnë akuzat nga Sali Berisha për vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Gazment Bardhi, i dërguari politik i qarkut në kohën e Lulzim Bashës, i është kundërpërgjigjur akuzavetë Sali Berishës, duke u shprehur se ka dyfishuar numrin e mandateve.

27 Maj 2022, 18:00 Nga DOSJA
'Elbasani', mollë sherri/ 'Ta hetojë SPAK',
Sali Berisha dhe Gazment Bardhi

TIRANË- Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit është kthyer në mollë sherri brenda Partisë Demokratike. Gazment Bardhi, i dërguari politik i qarkut në kohën e Lulzim Bashës, i është kundërpërgjigjur akuzavetë Sali Berishës, duke u shprehur se ka dyfishuar numrin e mandateve. Po ashtu, shtoi se në fakt është Berisha, ai që ka lidhje me bandat e qytetit, e se kurrë nuk është distancuar prej tyre.

"Shpifja është i vetmi mjet që i ka mbetur Sali Berishës për të bërë politikë. Ai e di shumë mirë se roli im në Elbasan ka qenë dyfishimi i mandateve për PD nga 3 në 6 mandate përballë terrorit të bandave të pushtetit, që sot janë në ortakëri me Sali Berishën. Sot e kësaj dite nuk ka asnjë deklaratë të SB për t’u distancuar nga ndërhyrja e bandave të Elbasanit në punët e Foltores. Me shpifje as nuk mbulon dot të vërtetën, as nuk shkon dot larg,"-shkruan Bardhi.

Ndërkohë që sot në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Bardhi i thur lavde SPAK-ut që të mos i hetojë rolin në vrasjen që tronditi vendin. Sipas Berishës, Bardhi dhe Balla janë përgjegjës direkt politik për atë vrasje, ndaj dhe duhet që të japin sqarime për gjithçka që ka ndodhur.

“Gazment Bardhi lufton për të shpëtuar shpirtin e tij. Unë e kuptoj luftën që bënë për të shpëtuar shpirtin, por është i pashpresë. Është i pashpresë. Të zbardh njëherë, të mos i thur lavde SPAK-ut, po të zbardh pak rolin e tij në vrasjen në Elbasan. E them sepse ai nuk ishte…askush nuk është për t’u vrarë. Ne jemi vend që nuk kemi dënime me vdekje. Bardhi dhe Balla janë përgjegjës direkt politik për atë gjakderdhje në një lagje që mund të mos ketë pasur gjakderdhje ndonjëherë. Ndaj të shkoj të japë sqarime,”-tha Berisha sot.

Ngjarja e rëndë e ndodhur në 21 prill 2020 tronditi qytetin e Elbasanit, rreth orës 14:00, pasi ish-efektivë policie dhe ish-efektivë ushtrie, bllokuan një automjet të shtetasit Mehmet Grejsi, i cili dyshohej nga PD se po shpërndante lekë dhe blinte votat në lagjen “5 Maji”. Bllokimi i automjetit dhe mbajtja përmes forcës dhe dhunës së Mehmet Grejsit, ka sjellë përdorimin e armëve deri në ekzekutimin e Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e 4 personave të tjerë si Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Ndërkohë që lidhur me vrasjen, pritet që shumë shpejt, prokuroria e Elbasanit të përfundojë hetimet dhe të dërgojë për gjykim, dosjen penale në ngarkim të ish-punonjësit të policisë, Arbër Paplekaj.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll