Aktualitet

Avokati zbardh dëshminë e Zaimit: E vrava kolegun, marr ilaçe, por s’e di pse

Sipas avokatit, 25-vjeçari ka thënë se merrte qetësues e medikamente, por as vetë nuk e dinte se për çfarë i përdorte.

26 Maj 2022, 12:45 Nga DOSJA
Avokati zbardh dëshminë e Zaimit: E vrava kolegun, marr ilaçe,
Ludjan Zaimi

TIRANË- Avokati i Ludjan Zaimit, efektivit 25-vjeçar që vrau kolegun e tij ka zbardhur dëshimnë e të akuzuarit brenda sallës së gjyqit. Në një prononcim për mediat, avokati Edvis Groshit ka thënë se Zaimi ka pranuar krimin që ka kryer por nuk ka dhënë asnjë shkak për ngjarjen. Sipas avokatit, 25-vjeçari ka thënë se merrte qetësues e medikamente, por as vetë nuk e dinte se për çfarë i përdorte.

“Pretendimi gjatë seancës, qëndrimi i tij është se e ka pranuar e ka bërë veprën e ka qenë në momentet e tronditjes emocionale, se kanë pasur e marrëdhënie shoqërore bashkë. Për momentin nuk e tha se pse, ishte shumë i tronditur. Tha madje tha që kishte marrë dhe disa qetësues gjatë periudhës që ka qenë para veprës. Seanca ishte shumë e shkurtër, tha se prej disa kohësh merrte qetësues. Nuk e përcaktoi por tha që merrte qetësues gjatë kohës përpara domethënë. Akuza e ngritur është vrasje me dashje,”- tha avokati për mediat.

I riu u la sot në burg. Ludjan Zaimi prej kohësh ankohej për daljen në shërbim me viktimën, Çaush Saliasi. Ai tregonte se Saliasi e bullizonte, e shante, e quante ‘qorr’ dhe nuk ia kursente as personat e familjes. Por, të gjitha këto ankesa, kishin rënë në vesh të shurdhër. Situata kishte vijuar e tillë deri më 23 maj, ditën kur po bëhej instruktazhi që ndodhi edhe krimi i rëndë. Saliasi la sallën e u ul në shkallën pranë derës së komisariatit. Fill pas tij, doli 25-vjeçari Zaimi.

Pas pak sekondash, i riu nxjerr armën dhe nis të qëllojë pa ndalim në drejtim të 55-vjeçarit. Pavarësisht se ky i fundit tentoi të mbrohej, nuk ia doli dot. Mori plumbat në pjesë të ndryshme të trupit në sy të të paktën nëntë kolegëve që i vetmi veprim që bënë ishte të ngrinin duart lart. Një grup i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet paralelisht me Prokurorinë e Tiranës për të mësuar shkaqet e konfliktit që çoi në përgjakjen e Komisariatit dhe të vrasjes së një efektivi policie në ambientet e punës së tij. 

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll