Aktualitet

"E mbështes", Menaxhimi i Butrintit, akademikët të përçarë: Nuk na kanë thirrur

Sipas akademikëve qeveria nuk u mori mendim atyre në lidhje me menaxhimin e parkut të Butrintit. 

24 Maj 2022, 17:56 Nga DOSJA
"E mbështes", Menaxhimi i Butrintit, akademikët të
Akademiket

TIRANË- Akademikët kanë hapur një debat ditën e sotme për menaxhimin e Butrintit pasi Parlamenti miratoi projektligjin për dhënien me koncesion. Sipas akademikëve qeveria nuk u mori mendim atyre në lidhje me menaxhimin e parkut të Butrintit. 

Skënder Gjinushi ka deklaruar se qeveria nuk pyeti asnjë akademik.

"I takonte Qeverisë të konsultohej me Akademinë, me Institutet," tha Gjinushi

Neritan Ceka duket se ka ndryshuar mendim në lidhje me marrëveshjen. Ai tashmë e përshëndeti miratimin e ligjit.

"E mbështes me bindje të plotë procesin që po zhvillohet për zbatimin e administrimit të Butrintit përmes një Fondacioni publik dhe e përshëndes miratimin e ligjit si fundin e sundimit të partive politike në Butrint. E kam quajtur "vetëvrasje" të partive politike para derës së Butrintit," tha Ceka.

Gjithashtu edhe Apollon Baçe ngriti pikëpyetje në lidhje me menaxhimin e Butrintit. 

"Kjo përralla e madhe që na thuhet që këta kanë ardhur si Nënë Tereza për të bërë mirë për mua nuk qëndron. Ky është një Fondacion si gjithë OJQ-të e tjera. Dhe kjo që thonë se lekët do të mbeten në Butrint, a do mbeten apo jo këtë nuk do ta dijë asnjëri. Shpresoj që Presidenti ta kthejë, do të fitohet njëfarë kohe me këtë. Po bëjmë letër për UNESCO-n," tha ajo.

Studiuesi Auron Tare gjithashtu reagoi ashpër në lidhje me Butrintin, duke theksuar se akademikët ua dorëzuan atë të huajve.  

"Në planin e menaxhimit, po ta lexoni me vëmendje, është bërë nga një grup anglezësh pa asnjë shqipotar, ja ku jeni, ju ka thirr njeri? Zero", tha ai.

Nga ana tjetër aktivisti Aulon Kalaja kërkoi dorëheqjen e anëtarëve të Akademisë së Shkencave, pasi sipas tij është e kotë që të vazhdojnë kur nuk pyeten asnjëherë.

"Dje u mblodh parlamenti dhe miratoi me 75 vota ligjin për koncensionin e Butrintit dhe sot mblidhet Akademia e Shkencave kur duhet të ishte komplet e kundërta, pra fliste Akademia e Shkencave. Në çdo vend normal të botës hapen dy tre vite debate publike, parlamentare, shkencore për të dalë në një konkluzion. Shumica e deputetëve dje nuk e dinin se ky ligj ishte në rend të ditës dhe jo më ta kenë lexuar këtë marrëveshje. Tani ju nuk pyeteni fare për këtë marrëveshjen e Butrintit. A jeni dakort me këtë koncension? A keni ju një qëndrim të qartë për këtë marrëveshje? Dhe nëse nuk ju pyesin, atëherë përse vazhdon Akademia e Shkencave, përse nuk jepni dorëheqje?," u shpreh Kalaja.

(I.A/dosja.al)

Sondazh

Poll