Bota

'Të mos biem pre e presioneve', përfundon pa marrëveshje takimi Kovaçevski-Petkov në Romë

Në një prononcim për media Kovaçevski e ka vlerësuar si konstruktiv takimin duke shtuar se bisedimet do të vazhdojnë tutje, ndërsa zgjidhja do të arrihet në momentin kur do të ketë një dokument, i pranueshëm për dyja palët.

24 Maj 2022, 13:17 Nga DOSJA
'Të mos biem pre e presioneve', përfundon pa
Dimitar Kovaçevski dhe Kirill Petrov

ROMË- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri bullgar kanë zhvilluar një takim ditën e djeshme në Romë, ku nuk është asnjë hap konkret në zgjidhjen e ngërçit dypalësh.

Në një prononcim për media Kovaçevski e ka vlerësuar si konstruktiv takimin duke shtuar se bisedimet do të vazhdojnë tutje, ndërsa zgjidhja do të arrihet në momentin kur do të ketë një dokument, i pranueshëm për dyja palët.

Ai theksoi se fakti që në qershor mund të mos vendoset data për konferencën e parë ndër-qeveritare nuk ndikon në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian.

Kovaçevski theksoi se aktualisht pala bullgare nuk ka kushte të reja për zhbllokimin e negociatave dhe se propozimi portugez mbetet zgjidhja e preferuar e palës bullgare. 

Ndërkohë kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski tha se gjëja më e rëndësishme është që qeveritë e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të vazhdojnë dialogun konstruktiv dhe të mos i nënshtrohen provokimeve të disa grupeve që përpiqen të rrisin tensionet.

Vetëm përmes dialogut konstruktiv do të jemi në gjendje të ecim drejt fqinjësisë së mirë që dëshirojnë të dyja qeveritë,” tha Petkov, duke shtuar se ai shpresonte se hapi tjetër do të ishte thirrja e një Këshilli Konsultativ të Sigurisë Kombëtare nga presidenti bullgar Rumen Radev, për të diskutuar rreth asaj që është arritur nga takimet e deritanishme.

“Nuk jemi zotuar për asnjë afat, e vetmja gjë për të cilën jemi zotuar është të mbajmë një ton të mirë dhe Ministritë e Jashtme të vazhdojnë punën. Ne premtuam se do të mbajmë tonin konstruktiv. Presim që në javët dhe muajt në vijim grupet e ndryshme që nuk duan fqinjësi të mirë mes Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut të tentojnë të provokojnë," tha Petkov.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian. Sofja konteston gjuhën dhe identitetin maqedonase duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në identitetin e tyre. Bullgaria gjithashtu kërkon respektimin e të drejtave të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut duke kërkuar përfshirjen e tyre në kushtetutën e këtij vendi, si popull shtetformues.

(d.a/dosja.al)

Sondazh

Poll