Aktualitet

Raste ende nuk ka, nis trajnimi i mjekëve për të zbuluar linë e majmunëve në Shqipëri

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tregon se për të dalluar linë e majmunit nga sëmundje të ngjashme kanë nisur trajnimet me mjekët.

23 Maj 2022, 17:28 Nga DOSJA
Raste ende nuk ka, nis trajnimi i mjekëve për të zbuluar
Foto ilustruese

TIRANË- Lija e majmunëve është kthyer në kërcënimin e radhës për qytetarët, por deri më tani mendohet se nuk ka ardhur në Shqipëri. Edhe pse vendet fqinje kanë raportuar për rastet e para, vendi ynë deri më tani ka shënuar të infektuar edhe pse rreziku sa vjen edhe shtohet. Kjo jo vetëm për shtimin e rasteve me fqinjët, por edhe nga turistët që do të hyjnë në territorin e vendit për të kaluar pushimet e verës.

Në një intervistë për “TVKlan”, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tregon se për të dalluar linë e majmunit nga sëmundje të ngjashme kanë nisur trajnimet me mjekët.

Mjekët mund ta ngatërrojnë, por ka elemente të rëndësishme për tu ditur. Nis me temperaturë rritje të gjendrave limfatike shenja në lëkurë.  Nisin nga fytyra, pëllëmbët shputat dhe në të gjithë trupin. Kalon në disa faza,”-tha ajo në fjalën e saj. Ndërkohë që sqaron se sëmundja prek çdo moshë dhe zgjat rreth një muaj. Por shqetësim janë personat me probleme të imunitetit mund të shkaktojë humbje jete.

“Zgjat deri 4 javë dhe është infektuese derisa zhvishet lëkura. Duhet të jemi të kujdesshëm mos prekim sytë se mund te çojnë në verbim. Ata persona me dëmtime të imunitetit mund të bëjnë forma të rënda. Lija e majmunit mund të transmetohet në disa forma. Veshjet apo mjetet e ngrënies së personit të infektuar mund të shërbejnë si transmetues.”

Për linë e majmunit nuk ka mjekim të aprovuar për t’u përdorur në masë ndërkohë që vaksina e variolës ofron mbrojtje. Deri më tani, lija e majmunit është përhapur në 15 shtete të botës, por mjekët thonë se nëse të infektuarit ndiqen dhe izolohen sëmundja mund të kufizohet.

Shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore ndërsa simptomat që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%. Lija e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin. Virusi transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll