Aktualitet

Plumbi i artë u dekonspirua? AMP: Po verifikojmë çdo dyshim për rrjedhje informacioni

AMP do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme.

20 Maj 2022, 19:51 Nga DOSJA
Plumbi i artë u dekonspirua? AMP: Po verifikojmë çdo dyshim
Të përmendurit në Dosje

TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit pas rrëfimit të të penduarit Nuredin Dumani. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se AMP do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme.

Njoftimi zyrtar:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022, përmes të cilit u caktuan dhe ekzekutuan masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për 32 shtetas, mes tyre edhe një punonjës policie.

Në përfundim të këtij operacioni, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore siguron opinionin publik dhe mediat se do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090.

E gjithë dosja e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me operacionin “Plumbi i Artë” me dy të penduarit Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj është zbardhur nga Dosja.al.  Më shumë se 12 janë ngjarjet kriminale mendohet se janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit, pas arrestimit. SPAK ka goditur dje 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe bëhet fjalë për krimet ndër më të rëndat në këto vitet e fundit, ekzekutime mafioze por edhe urdhra për vrasje, por 14 u arratisën. Pikërisht këtu nisën dyshimet për dekonspirim.

(f.m/dosja.al)

Sondazh

Poll