Politike

'Ngec' Presidenti/ Alibeaj: PS u tremb nga kandidatët tanë. Balla: Je keqkuptuar

Balla shtoi se ata kanë rënë dakord, që opozita të propozojë emër për kandidatët për president në raundin e dytë dhe të tretë, e më pas PS-ja ta marrë në dorë situatën në dy raundet e fundit. Ai i kërkoi Alibeajt të rikthehej në tryezë, të rimendohej e të mos çonte dëm dy raunde të këtij procesi.

20 Maj 2022, 18:27 Nga DOSJA

'Ngec' Presidenti/ Alibeaj: PS u tremb nga kandidatët tanë.

TIRANË- Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë ka bërë hapa pas! Dakortësia e arritur mes deputetit të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla më 18 maj, është kthyer në pikën zero dhe Opozita është tërhequr nga negociatat. Në një njoftim zyrtar, deputeti Arbi Agalliu u kërkoi kolegëve që të mos paraqiteshin në mbledhjen që ishte planifikuar të mbahej sot në orën 16:00, pasi nuk mund të diskutohej për Presidentn, kur maxhoranca kishte tërhequr firmat.

Në një deklaratë për mediat, Alibeaj tha se PS-ja ka shkelur marrëveshjen. Deputeti i PD-së pretendon se akordoja ishte që Opozita të propozonte emrin e kandidatit për president në dy raundet e ardhshme, por që kuorumi i votave do të plotësohej bashkë me ato të maxhorancës. Por, në një njoftim zyrtar, grupi i PS-së bëri me dije se nuk do të jepte asnjë firmë për kandidatët e propozuar nga PD-ja. por sipas Alibeajt, maxhoranca ka ndërruar mendje kur ka parë kandidatët e dalë nga Opozita, të cilët ai këmbëngul se nuk mund t’i ‘joshte’ dot.

Taulant Balla doli para gazetarëve dhe tha se Alibeaj ishte keqkuptuar pasi kurrë nuk i kishte premtuar apo kishte rënë dakort që një kandidat i dalë nga Opozita do të kalonte me kuorumin e plotësuar me votat e maxhorancës.

Balla shtoi se ata kanë rënë dakord, që opozita të propozojë emër për kandidatët për president në raundin e dytë dhe të tretë, e më pas PS-ja ta marrë në dorë situatën në dy raundet e fundit. Ai i kërkoi Alibeajt të rikthehej në tryezë, të rimendohej e të mos çonte dëm dy raunde të këtij procesi.

Në dokumentin e shpërndarë për mediat, PD-ja pretendon se është shkelur pika me numrin 4.

"Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare,"- shkruhet në pikën 4. 

PD doli dje me tetë emra për kandidatë për Presidentë: Rexhep Uka, Halim Kosova, Leonard Demi, Arben Çejku, Dritan Demirajt, Dashamir Shehu, Leka Zogu dhe Visar Zhiti. Opozita duhet të dilte me katër kandidatë me 20 firma, dy nga Alibeaj e dy nga Fatmir Mediu. Prej këtyre katër emrave, dy zgjidhen nga socialistët dhe më 23 maj vetëm një emër shkon në Kuvend.

Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00. Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Por Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që raundi konsiderohet efektiv edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat. Pra edhe nëse oozita nuk merr pjesë në seancë ajo nuk e bllokon procesin. Gjithsej janë parashikuar pesë raunde votimi. Në tre të parat nevojitet një shumicë prej tre të pestash, ndërsa në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll