Politike

Mega-aksioni i SPAK, Rama: Shembulli kuptimplotë se si goditet krimi

Ai thekson se organet ligjzbatuese kanë treguar se po godasin krimin e organizuar me gjithë forcë. 

19 Maj 2022, 15:10 Nga DOSJA
Mega-aksioni i SPAK, Rama: Shembulli kuptimplotë se si goditet krimi
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbështetur operacionin e zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që shkatërroi 8 grupe kriminale. Edhe pse të shumëkërkuarit janë ende në arrati, kreu i qeverisë shkruan se ky është shembulli se si duhet goditur krimi i organizuar. Ai thekson se organet ligjzbatuese kanë treguar se po godasin krimin e organizuar me gjithë forcë. 

“Operacioni i sotëm i SPAKUT dhe Policisë së Shtetit është shembulli më kuptimplotë i fuqizimit të organeve ligjzbatuese dhe vendosmërisë së madhe për ta goditur krimin e organizuar me të gjithë forcën e ligjit! Respekt për këtë shembull kaq domethënës. Mbështetje deri në fund!”- shton Rama.

18 të arrestuar, 8 grupe kriminale të shkatërruara por “VIP-at” i kanë shpëtuar prangave. Ky ishte bilanci i një operacioni të nisur nga SPAK pas gjashtë muajve hetime. “Dyshja vrastare”, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj kanë marrë statusin e të penduarit të drejtësisë duke zbuluar emra që kanë shkundur nga pluhuri i historisë ngjarje kriminale që datojnë nga viti 2011. FNSH-të dhe RENEA-t nisën zbatimin e 32 masave arresti të “prera” nga GJKKO. VIP-a si: Ervis Martinaj, Suel Çela, Florenc Çapja, Erion Alibej akuzohen se paguanin shuma të majme parash tek vrasës me pagesë për të eliminuar kundërshtarët e tyre, ndërsa në bazat e tyre kishte depo municionesh dhe armës, që kanë konfiskuar si prova për hetime të mëtejmshme. Ervis Martinaj dhe Suel Çela janë kërkuar kudo në Tiranë e Elbasan, por asnjë gjurmë e tyre nuk është pikasur, e efektivët kanë dalë nga vendet ku kanë kontrolluar me pranga në brez. Edhe Talo Çela ka dëshmuar se nuk e ka marrë kot pseudonimin “hije”. Kontrollet vijojnë.

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll