Bota

Zvicra miraton ligjin për dhurimin e organeve, të gjithë do të konsiderohen donatorë

Ndryshimi ligjor u miratua nga 60% e votuesve në referendum.Rregullat do të zbatohen vetëm për personat e moshës 16 vjeç e lart.

16 Maj 2022, 13:15 Nga DOSJA
Zvicra miraton ligjin për dhurimin e organeve, të gjithë do
Foto ilustruese

ZVICËR- Zvicra ka votuar për të rritur disponueshmërinë e organeve të transplantit duke i bërë të gjithë donator të mundshëm pas vdekjes, përveç rastit nëse ata kanë kundërshtuar shprehimisht para vdekjes.

Sipas Guardian, ndryshimi ligjor u miratua nga 60% e votuesve në referendum.Rregullat do të zbatohen vetëm për personat e moshës 16 vjeç e lart.

“Publiku ka treguar se është i gatshëm t'u japë një shans njerëzve që janë në listën e pritjes,” tha drejtori i Swisstransplant, Franz Immer.

Në një përpjekje për të reduktuar diferencën e mbetur, qeveria dhe parlamenti donin ta ndryshonin ligjin në një model të "miratimit të supozuar", diçka e miratuar tashmë në një numër vendesh të tjera evropiane.

Sipas këtij sistemi, njerëzit që nuk dëshirojnë të bëhen dhurues organesh pas vdekjes duhet ta thonë në mënyrë eksplicite. Ata që nuk i kanë bërë të qarta dëshirat e tyre do të supozohet se janë në favor. Megjithatë, të afërmit do të ishin ende në gjendje të refuzonin nëse e dinë ose dyshojnë se personi në fjalë do të kishte zgjedhur të mos dhuronte një organ. Në rastet kur nuk mund të kontaktohet asnjë i afërm, asnjë organ nuk mund të hiqet.

Kushtet mjekësore për dhurim mbeten të njëjta: vetëm personat që vdesin në njësinë e kujdesit intensiv spitalor mund të dhurojnë organet e tyre dhe dy mjekë duhet të konfirmojnë vdekjen.

Në fund të vitit 2021, më shumë se 1,400 pacientë ishin në pritje të transplantit të organeve në Zvicër, një vend me rreth 8.6 milionë banorë. Vitin e kaluar, 166 persona të vdekur kanë dhuruar organet e tyre në Zvicër dhe janë transplantuar gjithsej 484 organe të tilla. Por 72 njerëz vdiqën në vitin 2021 ndërsa prisnin në listën e pritjes së transplantit të organeve, sipas organizatës Swisstransplant.

(d.a/dosja.al)

Sondazh

Poll