Politike

VD-Presidenti/ Mediu: Absurde të mos dalë nga politika, e hëna pa emra

13 Maj 2022, 12:02 Nga DOSJA
VD-Presidenti/ Mediu: Absurde të mos dalë nga politika, e hëna pa
Fatmir Mediu

TIRANË- Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është shprehur se dita e hënë e caktuar si afat për të dorëzuar listën e kandidaturave për President, nuk do të ketë asnjë emër. Pas takimit me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Mediu tha se si fillim Opozita duhet të arrijë një dakordësi. Gjithsesi, Mediu shtoi se propozimi i Enkelejd Alibeajt që Presidenti të mos dalë nga politika, nuk qëndron.

“Siç po shoh, procesi i zgjedhjes së Presidenti nuk do të ketë kandidatë ditën e hënë. Të kemi një dakordësi me opozitën më parë, që të kemi dakordësi më pas me mazhorancën. Kam folur dje edhe me z. Bylykbashi, edhe me z. Boçi, edhe me z. Enkelejd Alibeaj; kemi folur edhe me kolegët e Aleancës për Ndryshim dhe të partive të tjera dhe ky ka qenë qëndrimi ynë: Duhet të kemi një proces të përbashkët opozitar për të përcaktuar kandidatura një ose dy apo alternative, që plotësojnë kushtet për President të Republikës dhe t’i përcjellim si kandidatura mazhorancës për të arritur konsensusin. Është absurde që politika të përjashtojë politikën. Unë mendoj se ka njerëz që kanë kontribute në jetën politike të këtij vendi, në interes të kombit dhe Shqipërisë, që mund të konsiderohen, por besoj se nuk mund të ngushtojmë në një profil të caktuar, që mund të kthehet në debate e mosmarrëveshje. Pra të jemi sa më të gjerë në kandidatë të fushave ku mund të zgjedhim kandidatin për President republike dhe e rëndësishme është që të plotësohen kriteret dhe detyrimet që ka në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës,”- tha Mediu ndër të tjera.

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll