Politike

Presidenti/ Balla pret Mediun, Idrizin e Dukën, s’ka emra! Alibeaj nuk shkon: Pranoni draftin tim

Bisedimet e deklaratat në media u shoqëruan edhe me reagime. Luçiano Boçi, i cili është mandatuar nga Komisioni i Rithemelimit për negociimin e zgjedhjen e Presidentit tha se Alibeaj nuk mund të flasë në emër të demokratëve. Të njëjtën gjë shtoi edhe Ervin Salianji.

13 Maj 2022, 09:45 Nga DOSJA
Presidenti/ Balla pret Mediun, Idrizin e Dukën, s’ka emra! Alibeaj
Taulant Balla, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Enkelejd Alibeaj

TIRANË- Negociatat për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, edhe sot kanë përfunduar pa hedhjen e asnjë emri në tavolinë. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ministrja Elisa Spiropali e Damian Gjiknuri pritën sot në takime të ndara kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediu e atë të Partisë për Drejtësi Inegrim e Unitet, Shpëtim Idrizi. Fillimisht në orën 09:00 në Konferencën e Kryetarëve mbërriti Idrizi, më pas Mediu e Agron Duka. Në mbledhje mungoi Enkelejd Alibeaj, i cili teksa fliste për mediat tha se nëse nuk merrej parasysh drafti i tij, nuk ulejt për negociata.

Në deklaratë për mediat, Balla tha se ka besim se do të arrijnë në zgjedhjen e një presidenti konsensual, ndërsa negociimin me Opozitën, tha se ia ka lënë në dorë Mediut. Ky i fundit u shpreh se nëse e gjithë Opozita nuk del me një emër, është e kotë që të vijojnë bisedimet me Partinë Socialiste. Idrizi tha se bisedimet e zhvilluara në Kuvend e bëjnë atë të dalë në përfundimin se maxhoranca nuk ka për qëllim të dalë me një president konsensual.

Presenca e OSBE-së në Shqipëri bëri thirrje për zhvillimin e një procesi gjithëpërfshirës. Bisedimet e deklaratat në media u shoqëruan edhe me reagime. Luçiano Boçi, i cili është mandatuar nga Komisioni i Rithemelimit për negociimin e zgjedhjen e Presidentit tha se Alibeaj nuk mund të flasë në emër të demokratëve. Të njëjtën gjë shtoi edhe Ervin Salianji. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha tha se as ai nuk ka ende një emër për Presidentin pasi është përqëndruar në garën e tij.

Konferenca e Kryetarëve vetëm me votat e socialistëve pasi Opozita bojkotoi, ka caktuar 15 majin, orën 16:00 si afatin e fundit për të dorëzuar propozimet zyrtare të deputetëve. Më datë 16 maj në orën 10:00 pritet mbledhja e Komisionit të Ligjeve për kandidaturat. Në të njëjtën datë, në orën 17:00 pritet të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të republikës.

(F.M/Dosja.al)

Sondazh

Poll