Politike

Basha u dorëhoq, Hajdari: Mundësi e mirë, PD të distancohet nga avazet e vjetra

22 Mars 2022, 19:36 Nga DOSJA
Basha u dorëhoq, Hajdari: Mundësi e mirë, PD të distancohet

TIRANË– Rudina Hajdari ka komentuar dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha. Në një postim në Facebook, Hajdari shkruan se dorëheqja e Lulzim Bashës nga posti u kryetarit, pas një seri humbjesh dhe vendimesh tejet të gabuara e me kosto për PD e vendin, është një mundësi e mirë për ta rikthyer partinë në misionin e saj fillestar. Hajdari kërkon që PD të shkëputet nga ‘e vjetra’.

Postimi i plotë:

Në 22 Mars 1992, 30 vite të shkuara, Partia Demokratike simbilizonte shpresën e shqiptarëve. Për herë të parë mbas 47 vitesh në pushtet, Partia e Punës u zëvendësua nga një parti e cila deri ato ditë i përkiste studentëve, intelektualëve, shqiptarëve të thjeshtë e plot me ëndrra për të ardhmen. Fatkeqësisht, vit mbas viti, PD e humbi rolin e saj si përfaqësuese e shpresës duke arritur kulmin e shpërfytyrimit të saj në vitet e fundit. Dorëheqja e Lulzim Bashës dje nga posti u kryetarit, mbas një seri humbjesh dhe vendimesh tejet të gabuara e me kosto për PD e vendin, është një mundësi e mirë për ta rikthyer PD në misionin e saj fillestar, si mbartëse e shpresës për shqiptarët. Por që kjo të ndodhë duhet që çdokush, nga anëtari më i thjeshtë e mbi të gjitha drejtuesit e saj aktualë, në Parlament e jashtë tij, të heqin dorë nga zakoni i përdorimit të PD në funksion të interesit personal apo familjar. PD do të reflektojë shpresë vetëm nëse rivihet jo në funksion të një njeriu por në funksion të shoqërisë. Ky është një moment që kërkon maturi, mençuri dhe dashuri për Shqipërinë. Vendi ka shumë nevojë për një opozitë të tillë, të ndershme, pa ngarkesa nga e kaluara, me energji dhe vizion te qartë për të ardhmen. Rrugët e Shqipërisë kanë javë që ushtojnë nga zërat e qytetarëve të inatosur me qeverinë Rama. Ata duan alternativë e që PD të jetë e tillë duhet të shkëputet nga avazet e vjetra dhe të ringrihet me forca dhe energji të reja. Kjo i duhet shqiptarëve dhe Shqipërisë!

Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së një ditë më parë, nëntë vite pasi e mori këtë post. Vendimi i Bashës erdhi pasi thuajse i gjithë grupi parlamentar doli kundër tij pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit, ku PD nuk mori asnjë nga gjashtë bashkitë për të cilat garohej. Pas dorëheqjes, drejtimin e PD-së, Sekretari i Përgjithshëm Gazmnt Bardhi ia ka kaluar Enkelejd Alibeajt që është edhe drejtues i grupit parlamentar. Përmes një deklarate zyrtare, Alibeaj kërkoi që Berisha të bënte të njëjtën gjë si Basha, të distancohej.

(f.m/dosja.al)

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

politike politike dorehiqet lulzim basha rudina hajdari dorehiqet lulzim basha rudina hajdari

Sondazh

Poll